A është e kërcënuar siguria në vend?

Lufta politike në vend ka krijuar precedentë të rrezikshëm për sigurinë në aspektin e përgjithshëm të saj. Dëshira e pushtetit të 74 votave të drejtuara nga Edi Rama për të kapur institucionet e drejtësisë ka krijuar një të çarë shumë të madhe në digën që institucionet bëjnë në luftën kundër paligjshmërisë.

Shqipëria tani ka një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm të kontestuar nga opozita dhe që edhe kompetencat e tij janë të kufizuara edhe për shkak të zhurmës së madhe për emrin e tij, por edhe për shkak të ligjit i cili nuk e lejon që të marre vendime të rëndësishme si i ‘Përkohshëm’ që është.

Shqipëria ka një kryetar të Shërbimit Sekret që është vetëm i komanduar dhe akoma i paemëruar me një dekret të posaçëm. Pra edhe ai si një pjesë e rëndësishme e zinxhirit të sigurisë në vend ka një mandat që nuk lejon që të ketë vendimmarrje të plotë dhe të pacenuar as nga ligji as nga….

Kemi një numër gjykatash dhe gjyqtarësh të shënjestruar dhe që akoma nuk kanë të qartë se çdo të ndodhë me ta pas implementimit edhe pse nën tym e flake të reformës në Drejtësi. Një reformë me ‘çelës sigurie’ përfaqësuesit e SHBA dhe BE-së, vende këto ku standardi i demokracisë është ku e ku më i lartë se ai i vendit tonë.

Kemi strukturat e policisë të demoralizuara e të akuzuara deri në palcë nga keqtrajtimi që u ka bërë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i cili është i akuzuar për pjesëmarrje në trafikun masiv të drogës. Kemi një Drejtor të Përgjithshëm të Policisë që është i akuzuar për lidhje të ngushtë me Tahirin.

Kemi parasysh mbështetjen që i dha ky i fundit për akuzën e aparaturës së përgjimit, dhe për mbështetje të gjithë atyre personave pjesë e policisë që janë akuzuar nga Shërbimi Sekret si mbjellësit, rritësit dhe korrësit e kanabisit.

Kemi një Ministër të Brendshëm të akuzuar nga opozita si pjesë e klaneve mafioze të trafikut të drogës. Shpesh herë drejtues të lartë të opozitës i kanë përmendur atij emrin e të vëllait që është në kërkim ndërkombëtar për trafikun e drogës.

Kemi një kryeministër që dhe këtë opozita e ka akuzuar për mbështetje të madhe ndaj ‘ministrit të tij më të suksesshëm’, por që i doli i akuzuar me bandat e drogës. Një kryeministër për të cilin opozita thotë se përveç aferave korruptive ka edhe lidhje me boten e krimit përmes vëllait të tij.

Kemi një ushtri që është përfolur për lidhje me trafikun e drogës, kjo u vërtetua plotësisht pas deklaratave të ish-ministres se Mbrojtjes, për radarët e ushtrisë që kontrollojnë vijën detare dhe ajrore. Radarët janë fikur me dhjetëra herë duke lejuar në këtë mënyre kalimin e paligjshëm të skafeve apo avionëve të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë apo vendeve të tjera.

Pas këtyre argumenteve secili prej nesh mund të bëjë analizën se sa e sigurt dhe e qëndrueshme është situata e rendit në vend dhe sa e besueshme është dhe do të jetë lufta kundër krimit dhe trafiqeve të drogës.