Dekriminalizimi, Gjykata e Kurbinit, rrëzon akzuat për Armando Prengën

Gjykata e Kurbinit e ka shpallur të pafajshëm ish-deputetin Armando Prenga, për ‘harresën’ e tij, duke mos deklaruar dënimin me gjobë në formularin e dekriminalizimit.

Ai ka qenë i dënuar penalisht me gjobë dhe gjykata e ka pushuar çështjen ndaj tij, në kohën kur Prokuroria ishte kërkuar 6 muaj burg për të.

Prokuroria e Përgjithshme pati njoftuar në shkurt të vitit 2017 se nga verifikimi i të dhënave brenda dhe jashtë Shqipërisë për deputetin Prenga, ka rezultuar se ai nuk ka deklaruar precedentët penalë në Itali në vitet 1996-1997, si dhe një vendim të formës së prerë të gjykatës së Kurbinit në Shqipëri, në të cilin është dënuar me gjobë për “falsifikim dokumentesh”.

Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria deklaroi se Prenga është “në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit per “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, vendosi ta refuzojë kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit të Prengës, duke kërkuar informacion shtesë nga organi i akuzës.

Ligji për “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i dekriminalizimit të politikës dhe administratës publike, u miratua në fund të vitit 2015 me kompromis në Kuvendin e Shqipërisë pas ankesave të shumta të Partisë Demokratike në opozitë për praninë e personave me precedentë të rëndë penalë në Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhur më së shumti nga listat shumëemërore të Partisë Socialiste.

Në bazë të ligjit, personat që kanë kryer vepra të rënda penale, si trafik i qenieve njerëzore apo trafik droge, ndalohet të marrin poste të larta publike ndërsa ata që i kanë, e humbin mandatin. Por përveç kësaj, ligji parashikon detyrimin e zyrtarëve për të deklaruar episodet penale të jetës së tyre pavarësisht nëse këto episode përbëjnë apo jo shkak për humbjen e mandatit. Dështimi në deklarimin e rasteve të dënimeve apo të arrestimeve sjell heqje të mandatit dhe përbën vepër penale.