Krimet e Rënda nuk i ndahen 3 gjyqtarëve/ Kërkohet mbledhja e KLD dhe ...

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe pezulllimin nga detyra të gjyqtarëve të Apelit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Ceno, që ishin nën hetim për dyshimet se kanë kryer korrupsion.

Kjo lëvizje e prokurorisë vjen në një kohë kur dy shkallët e gjyqësorit të Krimeve të Rënda, kanë rrëzuar kërkesën e prokurorisë, për pezullimin e tre gjyqtarëve.

Nuk ka ende një njoftim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nëse do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesës së Prokurorisë.

Të tre gjyqtarët akuzohen se kanë kryer një udhëtim në Spanjë dhe hoteli ku ata kanë qëndruar është paguar përmes kartës së kreditit të një të afërmi të një shtetasi që ishte palë e paditur në një procces civil.

Prokuroria pretendon se nga Spanja i ka ardhur përgjigjia mbi dyshimet duke konfirmuar pagesat e kryera nga karta e kreditit të të afërmit të shtetasit që ishte i paditur.

Gjyqtarët kanë udhëtuar drejt Spanjës për të ndjekur “El Clasico-n” mes Real Madrit dhe Barcelonës. Prokuroria dyshon se paratë e udhëtimit, përfshi qëndrimin në hotel, biletat e udhëtimit dhe ato në stadium janë paguar nga personi i paditur dhe i afërmi i tij.

Gjykata e Apelit Për Krime të Rënda ka refuzuar të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë,e cila kishte kërkuar pak ditë më parë pezullimin nga detyra të tre gjyqtarëve të Apelit Durrës Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno.Vendimi i tre gjyqtarëve të Apelit Nertina Kosova,Dhurata Averi dhe Albana Boksi për të mos marrë fare në shqyrtim kërkesën e prokurorisë është bazuar në nenin 249/1 të Kodit të Procedurës Penale që flet për “Ankimin kundër masave të sigurimit”.