Klani që ka rrethuar karrigen me këmbë të thyer, të Edi Ramës

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama është zhdukur pa asnjë gjurmë jashtë vendit, që nga dalja e fundit më 18 dhjetor pas votimit të kryeprokurores së përkohshme, kryetari i bashkisë Erion Veliaj ka ndërmarrë një fushatë të paprecedentë mediatike, si ‘njeriu që rri ditë e natë në krye të punëve”. Vetëm gjatë 3 ditëve të fundit ai është shfaqur 4 herë në ekranet e televizioneve më të mëdha të vendit, në emisionet më të ndjekura, pa llogaritur këtu kronikat e shumta të edicioneve të lajmeve dhe ballinat e gazetave.

Nga ana tjetër stafi i Ramës fillimisht njoftoi, se shefi gjendej në SHBA duke publikuar disa foto ku ai shfaqej me një grusht biznesmenësh të diasporës. Por në ditët në vazhdim lajmet nga kryeministri janë zhdukur krejtësisht, pasi as njerëzit më të afërt të propagandës nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhet dhe se çfarë po bën ai jashtë vendit. Në përpjekje të sforcuara, Endri Fuga, ka shpërndarë në Facebook-un e kryeministrit disa video punimesh të konsumuara më herët si ajo e sotmja nga rruga e Lumit të Vlorës, por burimet thonë se edhe ai vetë është i shqetësuar për këtë zhdukje të shefit të madh, ndërkohë që situata nuk është aspak e mirë.

Në këtë panoramë, duket se socialistët e shqetësuar janë kthyer si lule dielli nga “ndriçimi” i papërmbajtshëm i Erion Veliajt.

Por çfarë po ndodh në fakt prapa perdeve, në kupolën e Partisë Socialiste?

Burimet thonë se një grupim i fuqishëm, po strukturohet me shpejtësi përreth Erion Veliajt. Perceptimi se ai shumë shpejt do të zëvendësoj Ramën në postin e kryeministrit, tashmë është bërë shumë popullor. Ajo që bie në sy është se në këtë “konspiracion” po përfshihen edhe figura të rëndësishme të PS-së, të cilat njihen si përkrahës pa kushte të Edi Ramës.

 Përveç Fatmir Xhafajt që ka një lidhje të drejtpërdrejtë me Velinë edhe nëpërmjet dhëndrit të tij  Ditjon Baboçi (Drejtor i planifikimit urban në bashkinë e Tiranës) edhe Taulant Balla duket se po investohet fort së fundmi, për ëndrrën e Veliajt, e cila tashmë duket se po del nga sirtari. Brenda kupolës së PS-së por edhe mes shumë ministrave aktualë ka informacione, se faktorë të rëndësishëm ndëkombëtarë nuk mund të vazhdojnë dot të punojnë në vazhdim me Edi Ramën duke konsumuar edhe mandatin e dytë: Me PS-në në qeverisje që ka edhe votat absolute në parlament, po.

Pikërisht ky informacion-opinion që sa vjen e forcohet, po bën që Erion Veliaj të mos e ketë më tabu ikjen e Ramës nga posti i kryeministrit. Për këtë ka investuar dhe po investon shumë në vazhdimësi.

Vetëm pak ditë më parë në një shkrim të sponsorizuar te “The Economist”, në të cilin në pamje të parë dukej se evokohej puna e mirë e kryebashkiakut të Tiranës, u trajtua troç çështja e pasardhësit të Edi Ramës. Revista prestigjioze shkroi, se i është “pastruar” rruga Erion Veliaj për të pasuar Edi Ramën në krye të së majtës, pas problemeve te mëdha penale me te cilat po përballet rivali i tij, Saimir Tahiri.

Kjo temë u rimor nga Sokol Balla në emisionin e fundit të këtij viti, ku ishte i ftuar Veliaj. Dhe komentet e këtij të fundit për këtë çështje ishin mbresëlënëse.

“Unë nuk jam gazetar i “The Economist” dhe nuk përgjigjem dot për çka ka shkruar një gazetar, por di të them që në dy misionet e tyre këtu, jam pyetur vetëm për Bashkinë e Tiranës. Me sa kuptoj kanë bërë takimet e tyre, në këtë bashki por nuk e di sepse…Por kanë përqafur një perceptim që ekziston…”

Vini re: Gazetarët e The Economist kanë përqafuar një perceptim që ekziston këtu në Shqipëri, se Erion Veliaj do të jetë pasardhësi i Ramës, madje shumë shpejt.

Në fakt këtë perceptim e ka përhapur me kujdes dhe këmbëngulje vetë Erion Veliaj, në publik fillimisht. Por tani edhe me ndihmën e Fatmir Xhafajt, Taulant Ballës dhe mjaft figurave të tjera të fuqishme në PS, po punojnë fort brenda partisë për atë ditë. Në fund të fundit, nëse Edi Ramës i janë shkurtuar ditët si kryeministrë, kjo nuk do të thotë që ai të tërheq në humnerë me vete edhe gjithë PS-në që ka votat faktikisht, për të qëndruar në pushtet deri në vitin 2021!