Merkatoja e Skënderbeut, dy 'yje' bëjnë gati valixhet

Skënderbeu ka marrë pushimet deri më 3 janar, por nëse për futbollistët janë moment relaksi dhe qetësie, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për drejtuesit bardhekuq që janë duke punuar në lidhje me merkaton. Skënderbeu pritet të tregohet i kujdesshëm në këtë periudhë për të mos prishur balancat në ekip. Në klub kanë vendosur që të mos bëjnë asnjë largim pa siguruar më parë afrimet që do të bëhen.

“Lufta” më e madhe bëhet për afrimet në repartin e avancuar. Trajneri Ilir Daja ka kërkuar nga klubi që të afrojë dy sulmues për të rritur akoma edhe më shumë efikasitetin në këtë repart, por mbi të gjitha për të qenë të qetë në vazhdimësinë e sezonit, shkruan panorama. Nevojshmëria për ndërhyrje bëhet aq e madhe, në momentin kur klubi hedh sytë mbi ofertat e ndryshme që kanë mbërritur për Bajram Jashanicën dhe Sabjen Lilajn, që duket se mund të ndërrojnë ambient në këtë merkato.

LARGIMET – Skënderbeu duket se do të punojë paralelisht për merkaton në dalje, atje ku do të ketë më shumë huazime sesa largime definitive lojtarësh. Kjo për vetë faktin se kontratat ekzistuese të lojtarëve janë pengesa për të bërë largime definitive në janar. I vetmi që pritet të prishë kontratën është Martin Nespor, i cili ende nuk dihet se çfarë problem ka dhe sa do mungojë.

Gjithsesi, problem i parë që klubi do të duhet të zgjidhë është Donjet Shkodra. Lojtari i afruar me bujë nga Flamurtari nuk e ka gjetur të shtruar rrugën te Skënderbeu, madje ka vuajtur në stol. Kjo bëri të reagojë keq edhe pas ndeshjes me Flamurtarin. Shkodra nuk është në planet e Dajës dhe vështirë se trajneri do të ndryshojë mendim për pjesën e dytë të sezonit.