FOTO që po përlot botën/ Vajza pi ujë në pellg për të shuar etjen

“Teksa vendi është nën ndikimin e temperaturave të larta, kjo vajzë e vogël është shtrirë në trotuar, duke pirë ujë në një pellg.

Ka diçka që nuk shkon në shoqërinë tonë, apo jo?”

Miguel Rios, një vullnetar i Unicef dhe Plato Lleno (shoqata kundër shpërdorimeve ushqimore) në Argjentinë, ka shoqëruar me këto fjalë pamjet dramatike të një vajze të shtrirë përtokë, në kërkim të të vetmit burim për të shuar etjen.

Në këtë pozicion ajo është fotografuar më 13 dhjetor nga një kronist i Misiones Online, i cili ka ndaluar në semafor në një rrugë të Posadas, një qytet në ekstremin veri-lindor të Argjentinës.

Fotoja e vajzës, në dukje e komunitetit Guarani Mbya, është bërë menjëherë virale në Facebook.

Reagimi i miqve dhe të njohurve të kronistit ka qenë i menjëhershëm, duke zbritur nëpër rrugët e qytetit dhe duke shpërndarë ujë dhe ushqime për fëmijët e rrugës.

“Misiones Online” ka shpërndarë foton për të treguar një realitet që ndodh prej vitesh, ku të rriturit shfrytëzojnë fëmijët për të kërkuar lëmoshë nëpër rrugë.