Zbardhen detaje të reja nga plagosja në Vlorë, shoferi u sulmua me...

Policia e Vlorës jep detaje lidhur me plagosjen e taksistit 70-vjeçar Bashkim Guraj pasditen vonë të kësaj të marte në rrugën Himarë – Llogara.

Arma e përdorur, sqaron policia, nuk ka qene armë zjarri luftarake siç u raportua fillimisht, por “armë imituese”.

I lënduari ka djegie në shpatull, të shkaktuar nga arma imituese dhe jo armë të shkaktuara nga një armë zjarri, ka sqaruar Policia.

Ndërsa gjatë marrjes në pyetje, taksisti ka thënë se autorët nuk kanë dashur ta vjedhin.

Burime nga grupi hetimor thanë për Syri.net se gjatë marrjes në pyetje, taksisti ka thënë se udhëtonte së bashku me dy pasagjerë kur në rrugën Himarë – Llogara, në fshatin Palasë, ata i kanë kërkuar të kthehej pas. Më pas, e kanë qëlluar me armën imituese.

Policia fillimisht u njoftua për atentat me armë zjarri pasi zhurma që bën arma imituese është e afërt me atë të një arme zjarri.

Guraj është transportuar në spital, i tronditur nga ngjarja. Pasi e ka marrë veten ka folur për hetuesit.

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli me qëllim kapjen e autorëve. Ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.