E dashur Ambasada Amerikane në Tiranë…

Ka një shprehje që qarkullon shpesh, “në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjërat shkojnë mirë sepse atje nuk ka ambasadë amerikane”, me të cilën unë nuk bie dakord.  Të paktën në rastin e Shqipërisë. Prania e Ambasadës Amerikane, dhe sidomos influenca e saj në 27 vitet e fundit në vendin tonë, plus minus ka qenë një garanci për ndërtimin e një demokracie e cila edhe pse e brishtë, arrin të funksionojë.

Prania e Ambasadës Amerikane, deklarimet dhe qëndrimet e saj shpesh herë kanë valencë edhe më të fortë sesa vetë qëndrimet e shtetarëve tanë. Kjo pasi për shqiptarët, angazhimi për demokracinë e kësaj toke nga politika amerikane është garanci edhe më shumë sesa vetë të votuarit prej tyre për të njëjtin qëllim. Deri këtu nuk na mbetet të themi veçse: “Faleminderit, pa Ambasadën Amerikane e gjitha kjo nuk do të kishte qenë e mundur”. Por qëndrimi i djeshëm i Ambasadës Amerikane për situatën e krijuar në sallën e Parlamentit, nuk la një shije fort të mirë.

Deklarata ku thuhej se “Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën që ndodhi në protestën e djeshme në Tiranë”, u duk shumë herë më e fortë dhe shumë herë më panevojshme sesa forca që u pa dje në përballjen mes protestuesve dhe policisë nga njëri krah, dhe deputetëve të opozitës e gardistëve nga ana tjetër. Fundja në një demokraci, protestat e kanë brenda edhe konfrontimin, edhe ndotjen e ambientit, edhe prishjen e pronës publike po të doni.

Megjithëse i vetmi dëm i protestës që u vërejt, ishte ai i këputjes së disa luleve të bukura që ka Tirana. Në fund protestuesi taksa-pagues do ta shlyejë po vetë dëmin, edhe kjo pjesë e demokracisë është. Një tjetër pjesë që të bën të mbledhësh buzët nga deklarata e ambasadës është edhe ajo ku thuhet:

“Populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se Reforma në Drejtësi më në fund po zbatohet”. Populli shqiptar nuk e ka problem se politikejt e tij po zihen mes vendi, ndër dekada ata kanë treguar se dinë të konfrontohen edhe shumë më fort e shumë më dhunshëm se kaq, por arsyeja ndryshe nga herët e tjera dje kishte një thelb. Thelbi është se në gjykimin më të shëndoshë e të thjeshtë ligjor, mazhoranca zgjodhi dje me 69 vota një Kryeprokuror, kur në Kushtetutë parashikohet se ai duhet të zgjidhet me 84. Thelbi është se një Kryeprokuror që zgjidhet nga një mazhorancë, njëanshmërisht, në mënyrë të jashtëligjshme, vështirë se mund të jetë garant për të zbatuar ligjin paanshmërisht.

Sa për faktin që “prokurori që refuzonte të hetonte politikanët iku”, këtu biem të gjithë dakord. Një kryeprokuror që nuk hapi asnjë  dosje për asnjë nga ministrat e qeverisë Rama 1, nuk meritonte të qëndronte as edhe një ditë më shumë në detyrë. Por pikërisht këtu fillon problemi. Për aq kohë sa Edi Rama falënderon Adriatik Llallën për “punën e bërë”, dhe njëkohësisht duron tymin e flakadanëve vetëm e vetëm që Kryeprokurorja e Re (që nuk ka kaluar në Vetting) të thotë “Betohem”, kjo e prish panoramën.

Sidomos pjesën e deklaratës së Ambasadës ku thuhet se: “Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë”. Në 27 vjet demokraci falë edhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, ne arritëm vetëm të mësojmë një gjë, ne mësuam të mos jemi naivë. Për gjithçka tjetër, na shërben dështimi i ngritjes së KLP-së, se gjoja në Shqipëri nuk u gjendkan 3 anëtarë të Shoqërisë Civile që të plotësojnë kriteret e kërkuara.

Me të gjitha këto që thamë më lart, premtimet për efektet magjike të Reformës në Drejtësi, ne mund ti marrim me mend sesi do të jenë dhe këtë na e kanë thënë të parët tanë me një shprehje: “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë”.