VIDEO-FOTO/ Në tunelin më misterioz të Europës, ku janë fshehur 75 ton flori

Me një gjatësi prej më shumë se 5 kilometrash është ndërtuar një bunker gjigant nëntokësor. I ideuar nga diktatori italian Benito Mussolini, tuneli-bunker konsiderohet si një nga strukturat më mbresëlënëse të Luftës së Dytë Botërore. Ky bunker ka një hapësirë prej 10 mijë metra katrorë.

Kompleksi në formë tuneli në malet shkëmbore Soratte, ndodhet 35 kilometra në veri të qytetit të Romës, i cili jo vetëm është bunkeri më i madh në Europë, por gjithashtu është më misteriozi. Qarkullojnë thashetheme e legjenda se në tunel ka 75 ton flori të fshehur nga nazistët, gjatë kohës kur ky vend ishte i pushtuar nga gjermanët, pas kapitullimit të Mussolinit.

Ndërtimi i tunelit filloi në vjeshtën e vitit 1937, kur Mussolini i njohur si “Duçja”, ideoi bunkerin në një thellësi prej 280 metrash nën tokë, që do të shërbente si seli për qeverinë dhe gjeneralët italianë nëse do të ndodheshin nën një pushim nga kundërshtarët.

Zyrat ishin vendosur në një hapësirë prej 60 hektarësh, të rrethuar nga telat me gjemba. Besohet se kjo zonë shërbente si fabrikë për pajisje ushtarake dhe bujqësorë, duke e fshehur qëllimin e vërtetë të punës që bëhej aty.

Por, pasi Italia bëri një paqe me aleatët në 8 tetor të vitit 1943, gjermanët e pushtuan dhe morën nën kontroll edhe bunkerin. Ndërtimi gjigand shërbeu si shtab i përgjithshëm e që komandohej nga gjenerali, Albert Keeserling.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, ky bunker u shndërruar në një strehë anti-bërthamore që kontrollohej nga NATO. Do të përdorej në rast të ndonjë sulmi bërthamor, si strehë për presidentin e Italisë dhe njerëzit e tij më të afërt.