‘Forcat e Ligjit’, në Shqipëri zbarkojnë edhe agjentë francezë

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerard Collomb gjatë takimit me homologun Fatmir Xhafaj në Tiranë, u shpreh i gatshëm të asistonte Ministrinë e Brendshme me dy oficerë francezë krahas atyre gjermanë dhe amerikanë në luftën kundër krimit të organizuar.

Kërkesa është bërë nga ministri Xhafaj, i cili i ka prezantuar operacionin "Forcat e Ligjit" në luftën ndaj grupeve kriminale dhe pastrimit të parave.

Ministri Xhafaj u ndal tek lufta antikanabis dhe nënvizoi se janë marrë masat për vitin 2018, dhe Shqipëria nuk do të jetë në listën e vendeve ku kultivohet kanabis. Ministri Collomb vlerësoi rezultatet dhe shprehu besimin se do të jenë të qëndrueshme, duke theksuar se ato nuk janë një arritje pozitive vetëm për Shqipërinë, por edhe vendet e BE-së, thuhet në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Brendshme.

Collomb vlerësoi punë e bërë në këto muaj nga pala shqiptare për masat shtesë në pikat e kalimit kufitar në kuadër të frenimit të migracionit të parregullt dhe azil kërkimit. Ai njohu sukseset e arritura, i bindur se do të vijohet me të njëjtin vullnet.

Ministri i Brendshëm i Francës deklaroi gjatë takimit të dy delegacioneve se mbetet për t'u zgjidhur, së bashku, çështja e flukseve migratore, përfshi minorenët e pashoqëruar.

Collomb: Çështja e migracionit të paligjshëm kërkon zgjidhje nga të dy palët. Edhe rregullat që janë sot në fuqi në Francë, kanë nevojë për përmirësim.

Në fund të takimit të dy delegacioneve, ministrat firmosën marrëveshjen administrative "Për forcimin e bashkëpunimit policor operacional dhe pritjen e punonjësve të Policisë shqiptare në mision në Francë".

Marrëveshja dypalëshe e vendos në një fazë të re bashkëpunimin midis dy ministrive dhe mbështetet në besimin në rritje dhe aftësitë profesionale të policisë shqiptare. Policia e Shtetit do të dërgojë në Francë oficerë të saj, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe parandalimit të fenomenit të azil kërkimit, për një shkëmbim më të mirë të informacionit, analizën e thelluar të tij dhe përsosjen e formave të bashkëpunimit.