Votimi elektronik, OSBE: Vendimet duhet të merren shpejt

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt ka folur sot në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë “Teknologjitë e reja të votimit".

Ai tha ndër të tjera se "besoj se kjo është koha e duhur për të diskutuar aplikimin potencial të teknologjive të reja në zgjedhje, sepse ka ende mjaft kohë deri në zgjedhjet e ardhshme, por vendimet duhet të merren shpejt."

Konferenca organizohet nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe mbështetet financiarisht nga ambasada e Suedisë. Përfundimet dhe rekomandimet e dala nga konferenca do t’i paraqiten Kuvendit të Shqipërisë, për t’u marrë në konsideratë gjatë diskutimeve për reformën zgjedhore.

Nga fjala e  ambasadorit Bernd Borchard:

"Raporti i fundit për zgjedhjet e qershorit theksoi nevojën për veprime solide për të trajtuar çështjen e blerjes së votës dhe abuzimit me burimet shtetërore, edhe me ndjekje penale. Në këtë aspekt, teknologjitë e reja të votimit nuk mund të ndihmojnë shumë. Ne mirëpresim faktin që prokuroria ka hapur çështje për abuzimin me burimet shtetërore dhe ne i bëjmë thirrje prokurorisë të ndjekë edhe rastet e ditura të blerjes së votës.

Disa Shtete pjesëmarrëse të OSBE-së po përdorin teknologjitë e reja, ndërsa disa të tjera e kanë ndaluar përdorimin e tyre dhe i janë kthyer metodave zgjedhore të bazuara te letra. Madje, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë arriti deri aty sa t’i ndalonte teknologjitë e reja të votimit si jotransparente. Prandaj, duhet të diskutojmë gjerë e gjatë për të mirat dhe të këqijat e teknologjive të reja të votimit.

Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së që filluan të përdorin teknologjitë e reja të votimit e bënë këtë për shkak të potencialit të tyre: rritjes së pjesëmarrjes së votuesve, përfshirjes së qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, kostos më të ulët të administratës zgjedhore në planin afatgjatë, përmirësimin e saktësisë së numërimit. Megjithatë, përfitimet janë vetëm të mundshme dhe sigurisht që përdorimi i teknologjive të reja të votimit për zgjedhjet është kompleks dhe i shtrenjtë. Për të mos përmendur se proceset demokratike janë të fundit që ne do të dëshironim të shihnim nën sulme kibernetike. 

Ka rreziqe në përdorimin e teknologjive të reja të votimit dhe të gjitha duhet të merren parasysh. Teknologjitë e reja të votimit nuk mund të krijojnë besim dhe nuk mund të zëvendësojnë besimin te sistemi zgjedhor.  Por unë ju rekomandoj të shqyrtoni numërimin elektronik, i cili nuk do të kërkonte shpenzime financiare të pamata, do të ishte offline, pra nuk do të sulmohej lehtë nga piratët e kibernetikës, si dhe mund të kontribuonte në depolitizimin e një pjese të administratës zgjedhore.

Në konferencën e sotme, ne do të shohim më afër kontekstet e ndryshme në të cilat janë aplikuar teknologjitë e reja të votimit. Ne do të diskutojmë për besimin e publikut te zgjedhjet si bazë për teknologjitë e reja të votimit, nevojën për t’i testuar ato përpara se të vihen në përdorim përmes projekteve pilote dhe nevojën për informim të mjaftueshëm publik, edukimin e zgjedhësve dhe trajnim të stafit të zgjedhjeve.

Besoj se kjo është koha e duhur për të diskutuar aplikimin potencial të teknologjive të reja në zgjedhje, sepse ka ende mjaft kohë deri në zgjedhjet e ardhshme, por vendimet duhet të merren shpejt. Gjithashtu, dua të nënvizoj se është se është e domosdoshme të vijojmë të kemi në fokus rekomandimet e tjera të ODIHR-it për zgjedhjet e fundit dhe ato të mëparshmet. Çështjet në lidhje me perceptimet për blerjen e votës, financimin e fushatës, ndjekjen penale të rasteve të shkeljeve në zgjedhjeve të denoncuara në Polici dhe Prokurori, si dhe administrimi profesional i zgjedhjeve, duhet të jenë çështje prioritare, dhe jo vetëm në punën e Komisionit të Posaçëm."