‘Barba Pilo’ ka vdekur, por ‘Barba Xhorxh’ është akoma gjallë!

Për 3 ditë rresht që nga data 18 Korrik 2016 deri më datë 21, përpara Kuvendit të Shqipërisë shumë organizata të Shoqërisë Civile të organizuara nga Fondacioni Soros protestuan për zhbllokimin dhe votimin e Reformës në  Drejtësi. Në këto protesta u pa si protagonist edhe ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin. Në vlagën e këtyre protestave plot 50 organizata joqeveritare nënshkruan edhe një peticion, drejtuar deputetëve dhe klasës politike.

“Të bindur se politika duhet t’i bindet vullnetit të qytetarëve, organizatat e shoqërisë civile do të vijojnë të ngrenë zërin, në mënyrë të pandalshme për të nxjerrë para përgjegjësisë politikanët shqiptarë për detyrat e tyre politike, institucionale dhe morale, në lidhje me zbatimin e ligjit të vettingut dhe integrimin europian”, shkruanin dhe përbetoheshin atëherë ata.

Sot pas më shumë se 18 muajve jemi në një situatë kaotike; bllokim të krijimit të institucioneve dhe veçanërisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe mbi të gjitha një situatë shpërthyese politike. Në mënyrën më absurde në pamje të parë, përgjegjëse është pikërisht kjo e ashtuquajtur  Shoqëria Civile, e cila u përdor atëherë, për një mision të kundërt.

Por çfarë po ndodh?

Ndërkohë që mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, po skadonte me shpejtësi, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj, iu drejtua më 15 nëntor për herë të pestë Shoqërisë Civile, që të paraqiste urgjentisht pranë Avokatit të Popullit, kandidaturat për një vend në KLP. U dha edhe si afat i fundit i paraqitjes së kandidaturave;  data 30 Nëntor.

Për këtë arsye, Gjonçaj zhvilloi atëherë në ambientet e Kuvendit një takim me shoqata të Shoqërisë Civile, për të mësuar prej tyre arsyet e vërteta, “të ngurrimit” për të pasur anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

 Në atë takim, përfaqësuesit e Shoqërisë Civile u ankuan për kritere “të vështira” për kandidatët që duhet të shkojnë në KLP (nuk e bënë, kur Reforma në Drejtësi ishte ende draft), disa prej të cilave janë të pamundura për t’u përmbushur (koha që ka punuar si jurist), por edhe “frika” e përgojimit të kandidatit të tyre nga politika. Të dyja arsyet duken absurde. Por edhe nëse janë të vërteta, atëherë i bie që nuk do të kemi kurrë një kandidat prej tyre dhe ajo që duhet të bëjë shpejt Edi Rama është ndryshimi urgjent i ligjit dhe jo oferta pazaresh Lulzim Bashës.

Nga ana tjetër, ndërkohë që publikisht Kuvendi bënte të gjitha këto “përpjekje” për të nxitur Shoqërinë Civile që të zhbllokonte, KLP, përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve pa bujë dhe fshehtas opozitës i dërgojnë OBDAT dhe EURALIUS një kërkesë për dhënie opinioni, për mënyrën e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës, në rast të mos formimit të KLP-së.

 Vini re! Kjo ka ndodhur shumë më herët se 30 Nëntori, që përcaktonte edhe afatin e fundit për Shoqërinë Civile për të paraqitur në Kuvend kandidaturën e vet. Por datën 30 nëntor që jepte Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk e pritën, as  ekspertët e  OBDAT dhe EURALIUS.

Nëpërmjet një letre që tashmë është bërë mollë sherri për të dy krahët e politikës, publikuar në datë 21 Nëntor, ata “këshillojnë” që të zbatohet ligji dhe prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet sipas një neni tranzitor të ligjit për Prokurorinë, i cili thotë se Kuvendi cakton ( pra nuk zgjedh siç po bëjnë sot me shpejtësi) një prokuror me përvojë që të drejtojë, në kushtet kur KLP nuk është krijuar ende. Dhe kjo, me vetëm një grusht votash të mazhorancës.

 Por në këtë letër-opinion” të EURALIUS dhe OPDAT (Në thelb edhe këto misione janë tip organizatash jo qeveritare, me ekspertë të paguar nga SHBA dhe BE, për të dhënë asistencë ligjore në vendin tonë) që Rama e përdori si urdhër të SHBA dhe BE,  harrohet qëllimisht të thuhet se çfarë ndodh me shkeljen flagrante jo vetëm të frymës së Kushtetutës, por edhe të shumë neneve dhe ligjeve të saj në këtë rast.

Ish-shefit i Euralius, Rainer Deville, që mund të quhet edhe si “baba” i kësaj Reforme në Drejtësi që po fut ujë gjithandej ende pa u vënë në zbatim, rreth një muaj e gjysmë më parë deklaroi:

“Mund të themi që nuk e kemi më ne (ndërkombëtarët) frymën e reformave. Do duhet të shikoni se kush është personi që mund t’i çojë përpara reformat. Aktualisht mungon motori, për t’i çuar gjërat përpara”.

Pra motori ka  ngecur dhe gishti vihet te një person… Por kush është ky njeri kaq i fuqishëm në politikën shqiptare, që mund të bëjë motorin? Përveç Edi Ramës që ka një shumicë absolute në parlament dhe të gjithë po e shohin si  po e përdor në rastin konkret në Komisionin e Ligjeve, askush tjetër nuk ka ndonjë gjë në dorë.

Deville u largua nga misioni në mënyrë “misterioze”, por fryma që e karakterizoi mënyrën sesi u bë Reforma në Drejtësi nga ekspertët e OPDAPT dhe EURALIU duket qartë, që është ende  e njëjta dhe vjen nga i njëjti burim; ai që kontrollon Shoqërinë Civile në Shqipëri..

Ngërçi aktual që ka kapluar zgjedhjen e kryeprokurorit dhe që duket se po e kalon vendin në një krizë të thellë politike që të kujton periudhën përpara reformës nuk do të ishte kaq i fortë, nëse Shoqëria Civile do të angazhohej për të zënë vendet e saj në sistemin e ri të Drejtësisë, me po të njëjtin zell me të cilin protestonte për votimin e Kushtetutës së 21 Korrikut në vitin 2016.

Kishin 9 muaj afat që nga pranvera e vitit të kaluar, kur nisën thirrjet e para për kandidim për organizatat joqeveritare, por ato në një mënyrë që  tashmë po duket se ka qenë e ndërgjegjshme janë treguar në rastin më të mire, apatike në këtë drejtim. Por dyshimet janë të forta, se ky bllokim është i qëllimshëm dhe shumë fakte e tregojnë këtë. Kush po e luan lojën?

Ndiqni me vëmendje skemën:

Kemi në qendër Fondacionin Soros, i cili tashmë dihet që me donacione në miliona dollarë kontrollon shumicën e Shoqërisë Civile në vendin tonë; Po ky fondacion bëhet bashkautor në përpilimin e Reformës në Drejtësi brenda OPDAPT dhe EURALIUS; I bën presion opozitës dhe organizon me 50 shoqata, protesta për miratimin sa më të shpejtë të saj; Po kjo Shoqëri Civile për 9 muaj rresht deri sa digjen afatet, nuk jep një emër të saktë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë; Mazhoranca e Ramës (Sorosist i vetëshpallur) nxiton që të zgjedhë vetë prokurorin e ashtuquajtur të përkohshëm, edhe me “këshillën” e OPDAPT dhe EURALIUS; Edi Rama i bën ofertë Bashës, për të bërë së bashku një pazar për Prokurorin e Përgjithshëm dhe jo vetëm, duke tentuar kështu që ta bëjë atë bashkëpunëtor në vënien e shkelmit, të gjithë Kushtetutës së re të miratuar në mënyrë historike në unanimitet; Basha nuk pranon duke paraljmëruar ditë të vështira për politikën shqiptare nëse Rama nuk tërhiqet...

Pra papritur kthehemi në pikën zero. Palët të ngrira, në llogore lufte përball njëra tjetrës; gati njësoj si përpara 21 Korrikut të vitit 2016!

Nëse ju kujtohen, ato kohë ishin të arta për Edi Ramën; Nuk kishim çështje dite dhe kryelajm, as drogën që kishte mbuluar vendin, as korrupsionin dhe koncesionet grabitqare, as pastrimin e miliardave të kanabisit, as dështimi i qeverisjes së Rilindjes.

Atëherë kishim vetëm një kryeministër që “luftonte” me epizëm për Reformën në Drejtësi, edhe me Ilir Metën ortak në qeverisje. Ishte koha kur ai ishte kryekalorësi, që përfaqësonte ëndrrën historike të shqiptarëve dhe vringëllinte shpatën kundër opozitës, `që bën çdo gjë për ta ndalur dhe sabotuar...`.

Loja ka filluar! Dhe nuk bëhet fjalë thjesht për një kryeprokuror të kontrolluar nga Rama, që mund të mbyllë e zvarrisë përkohësisht ca dosje të nxehta!

Ramën e ka marrë malli dhe e sheh si të vetmen varkë shpëtimi, kohën kur ai ishte luftëtari i madh për Reformën në Drejtësi dhe shqiptarët e shihnin në dritë të syrit.

E reja është, se tani në vitin 2017 kur duhen mbyllur zullumet e shumta kriminale të dala sheshit, jo vetëm të Tahirin, opozita nuk është vetëm “kundër” zbatimit të Reformës në Drejtësi, por edhe “sabotatore” e hapjes së negociatave mes Shqipërisë së Edi Ramës dhe BE-së së Mogerinit.

`Barba Pilo` ka vdekur, por `Barba Xhorxh` është akoma gjallë dhe i fortë; Këtu, në Bruksel dhe në Washington, po të doni!