Vdes në mënyrë të papritur heroi i Botërorit ‘Italia 90’

Benjamin Massing, njëri prej “luanëve” të padominueshëm që morën pjesë në atë rrugëtim të paharrueshëm të Kamerunit në Botërorin “Italia 90” ndërroi jetë në moshën 55-vjeçare.

Massing hyri në histori bashkë me shokët e tij të ekipit, më datë 8 qershor të vitit 1990 në “San Siro”. Kameruni hipotekoi në debutim një fitore të jashtëzakonshme dhe po aq të pabesueshme kundër kampionëve të Botës asaj kohe në fuqi, Argjentinës.

François Omam-Biyik fluturoi lart në qiell për të kapur topin më të rëndësishëm të jetës së tij, me bashkëpunimin e portierit Pumpido, duke kaluar skuadrën në avantazh.

Luanët e pazbutshëm ishin në inferioritet numerik dhe rezistuan deri në fund të takimit me 10 futbollistë, e më pas madje edhe me 9 lojtarë.

Është pikërisht këtu kur hyri në skenë heroi, Benjamin Massing. Claudio Caniggia niset në një kundërsulm të shpejtë nga gjysmëfusha argjentinase, progresioni i tij duket i pandalshëm, duke dribluar më parë dy mbrojtës dhe tenton të afrohet në zonën e Kamerunit.

Por, Benjamin Massing ka të tjera ide. E shënjestron, drejtohet tek ai me një objektiv të vetëm, për të ndalur vrapimin e atij futbollisti biond.

Përplasja është e tmerrshme, aq sa vetë futbollisti kamerunas humbet njërën këpucë.

Caniggia fluturon në ajër, dhe ndalet përtokë me një përplasje të rëndë. Massing bëri detyrën e tij, merr këpucën, ndëshkohet me atë karton të kuq të supermerituar dhe del nga fusha si hero.

Massing ishte më vonë protagonist i pafat edhe në çerekfinale, kur u ndërpre ecuria e Kamerunit. Prezantimi i tij i dytë në atë Botëror ishte pikërisht përballë Anglisë. Ndeshje në të cilën dy ndërhyrje të tij në zonë u ndëshkuan me dy penallti.

Dy penallti të shkaktuara nga Massing të shndërruar në gol nga Lineker, me atë të realizuar në kohën shtesë, që rezultoi deçiziv në fitoren 3-2 të Anglisë.

Kameruni u eliminua aty ku asnjë skuadër tjetër afrikane nuk kishte arritur kurrë më parë. Sot shumë bij të asaj toke kanë përshëndetur me dhimbje njërin prej atyre luanëve të padominueshëm.