FOTO/ Rritet borxhi i jashtëm. Qeveria e pranon: Rrezikon Lek-un dhe ekonominë

Qeveria ka pranuar se rritja e shpejtë e borxhit të jashtëm publik gjatë katër viteve të fundit ka rritur rrezikun e kursit të këmbimit për financat e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave,  tregojnë se borxhi i jashtëm është rritur nga 25.7 për qind e Prodhimit Kombëtar që ishte në vitin 2011, në 34.2 për qind e PBB në fund të vitit të kaluar.

Sipas qeverisë, rritja me gati 9 pikë përqindje ndaj PBB e borxhit të jashtëm i ekspozon financat e shtetit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, pasi nëse leku zhvlerësohet kjo sjell rritjen e borxhit dhe pagesave për shërbimin e tij.

Në Strategjinë Afatmesme të Borxhit Publik, qeveria pranon se pagesat për borxhin në valutë vlerësohen në rritje progresive gjatë periudhës afatmesme 2018-2020.

"Duke qenë se të ardhurat e vendit tonë janë në monedhë vendase dhe bilanci tregtar është negativ aftësia për të siguruar valutë për pagesën e borxhit mbetet e limituar" thuhet në dokument.

Sipas dokumentit, nëse qeveria do të sigurojë valutë duke marr tjetër borxh nga jashtë kjo mund të kishte rreziqe të tjera.

"Niveli i kufizuar i eksporteve dhe rezervave valutore që ka Shqipëria mund ta vendosë shtetit në vështirësi për të shlyer borxhin në valutë duke rrezikuar qëndrueshmërinë e lekut dhe treguesve të tjerë makroekonomik" thuhet në strategjinë e përgatitur nga Ministria e Financave.

Aktualisht gati gjysma e borxhit publik të Shqipërisë është në valutë. Pjesa dërrmuese e tij, rreth 65 për qind është marrë në monedhën euro, ndërsa në vendin e dytë renditet borxhi i marrë në dollar, i cili zë mbi 20 për qind të borxhit të jashtëm.

Në katër vitet e fundit qeveria e ka orientuar thuajse të gjithë huamarrjen në tregjet e huaja. Kjo ka rritur ndjeshëm pagesat që buxheti i shtetit duhet të bëjë në valutë për shlyerjen e tij. Por meqenëse të ardhurat e qeverisë nga taksat janë në monedhën vendase, shërbimi i borxhit mund të shndërrohet në një rrezik, jo vetëm për kursin e këmbimit, por edhe për qëndrueshmërinë financiare të vendit.