Bilancet fiktive, nga janari bizneset do të detyrohen të mbajnë vetëm një

Kompanitë e biznesit do të detyrohen të mbajnë një bilanc të vetëm, i cili do të jetë i përputhur me deklarimin e tyre në tatime, duke frenuar abuzimin me bilancet fiktive, që nga njëra anë nxisin shmangien e detyrimeve tatimore reale dhe nga ana tjetër, ndikojnë në vlerësimin e aftësisë paguese të bizneseve për llogari të kreditimit në bankat e nivelit të dytë.

kështu deklaroi sot Ministri i Financave, Arben Ahmetaj sëbashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

“Sot është fakt, që kompanitë e mëdha mbajnë dy bilance, një që deklarohet në tatime dhe një që dorëzohet në bankat tregtare për qëllime kredimarrje, - tha Ahmetaj. - Ne kemi marrë angazhim, që kompanive të biznesit t’u njihet vetëm një bilanc zyrtar, që është i përputhur me deklaratën e tyre tatimore.

Kryeministri e ka artikuluar si masë në ditët e fundit dhe ne po e avancojmë, besoj do të konkretizohet me të gjitha detajet teknike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë, në një rregullore të posacme, në fillim të vitit 2018” – deklaroi ministri.

Guvernatori Sejko nga ana e tij tha se Banka e Shqipërisë ka vlerësuar me seriozitet dhe ka mbështetur në vazhdimësi nismat e ndërmarra për rritjen e formalizimit të ekonomisë.

“Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme përcaktoi vendosjen e kriterit rregullativ, si një detyrë të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë, që duke filluar nga viti 2018 veprimtaria e kredidhënies të mbështetet vetëm në deklaratat tatimore. Banka e Shqipërisë e ka trajtuar edhe më parë këtë dukuri nga pikëpamja rregullative, por duke u kufizuar vetëm tek kredimarrësit e mëdhenj të bankave. Koordinimi i veprimeve me organet qeveritare dhe veprimet e përshtatshme të ndërmarra, kanë krijuar hapësirën e nevojshme për ta thelluar këtë masë rregullative në një bazë më të gjerë kredimarrësish” – u shreh z. Sejko.

Ministri i Financave dhe Guvernatori theksuan se kjo masë do të sjellë përfitime afatgjata për të gjitha palët e përfshira në proces, për sektorin bankar, për biznesin dhe ekonominë në tërësi.