VIDEO/ Incident në Beogradit, mes liderëve të Bosnjë Hercegovinës dhe Serbisë për Kosovën

Tre anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, kryesuesi Dragan Çoviçi, Bakir Izetbegoviçi dhe serbi Mladen Ivaniçi kanë qëndruar dje në Beograd ku kanë pasur takim me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç. Në konferencën për media është shënuar një incident kur dy palët kanë folur për Kosovën dhe qëndrimin e dy vendeve ndaj pavarësisë së saj.

Kur kryesuesi kroat i Presidencës boshnjake Dragan Çoviqi ka folur për Kosovën duke thënë se Sarajeva, sa i përket kësaj çështjeje do t’u përshtatet qëndrimeve të Beogradit, ka reaguar anëtari tjetër Bakir Izetbegoviç.

Izetbegoviçi ka thënë, se politika e jashtme e Bosnjës duhet të jetë e pavarur.

“Politikën ndërkombëtare të BH-së do ta udhëheqin këta tre persona dhe ajo do të udhëhiqet në Sarajevë. Natyrisht, do t'i marrim shumë parasysh qëndrimet e vendeve fqinje sepse jetojmë me Serbinë, jetojmë me Kroacinë dhe BE-në, ku kemi marrë obligime në procesin e integrimeve. Por qëndrimi im është se politika e jashtme bëhet në Bosnjë e Hercegovinë dhe unë e luta Çoviçin që atë që e tha ta thotë si qëndrim të tij e jo si të Presidencës”, ka thënë Izetbegoviçi.

Presidenti serb pastaj ka reaguar me një mimikë duke shfaqur revoltë për qëndrimin e Bakir Izetbegoviçit.

“Ja pra kështu. Unë vetëm e citova atë që e mora gjatë bisedave zyrtare, por gjendja është kështu rreth Kosovës dhe kufijve”, ka thënë Vuçiçi.

Vërejtja e Izetbegoviçit ka nxitur reagime të shumta në Serbi dhe në Republikën Srpska, sikur edhe ditë më parë kur Izetbegoviçi shfaqi mendimin e tij personal se Bosnja duhej ta njihte Kosovën prej vitesh.