Vizita e Erdogan 'blindon' Athinën, mijëra policë, makina dhe forca speciale në terren

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mbërrin në Athinë në orën 10:30 për një vizitë zyrtare, i ftuar nga homologu i tij grek Prokopis Pavlopoulos, të cilin do ta takojë rreth orës 12, pasi të vendosë një kurorë me lule në monumentin e “Ushtarit të panjohur” para Parlamentit grek.

Më pas, rreth orës 13:30 ai do të takohet me kryeministrin Tsipras, me të cilin do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët shtypi pak para orës 15. “Kjo vizitë është një mundësi për të bërë hapa përpara në miqësinë midis dy vendeve”, ka deklaruar kryeministri Tsipras.

Në Athinë më shumë se 3.000 forca policie do të mobilizohen në operacionet e sigurisë për vizitën e presidentit turk. Masat do të jenë të njëjta me ato që u zbatuan për vizitën e presidentit Barack Obama, në nëntor të vitit të kaluar.

Sipas shtypit, rreth 300 oficerë sigurie dhe komandos turq do të shoqërojnë presidentin Erdogan gjatë vizitës së tij, ndërsa në eskortën e tij përfshihen edhe 10 makina të blinduara.

Siç bëhet e ditur, nga ana e autoriteteve greke do të mobilizohet edhe njësia e forcave speciale. Snaiperë do të qëndrojnë në tarracat e godinave përgjatë gjithë rrugëve nga do të kalojë Erdogan. Aparate të posaçëm do të çaktivizojnë funksionimin e telefonave celularë. Policia rrugore do t’i bllokojë këto rrugë ndërsa pritet të shpallet edhe ndalimi i tubimeve gjatë 24 orëve që presidenti turk do të qëndrojë në Athinë.

.Qeveria greke synon në këtë vizitë të presidentit turk të mbajë të hapura urat e komunikimit me fqinjin e saj, duke marrë edhe një rol negociues midis Turqisë dhe BE-së, në një periudhë kur shumë qeveri europiane shprehen kundër integrimit të Ankarasë në BE.

Gjithashtu, Athina kërkon përveç zgjidhjes së çështjes qipriote, edhe një bashkëpunim të ngushtë për krizën e refugjatëve, si dhe për marrëdhëniet ekonomike.

Programi i presidentit turk përmban edhe takimin me udhëheqësin e opozitës, Mitsotakis, si dhe një darkë zyrtare mbrëmjen e së enjtes nga homologu i tij grek Pavlopoulos. Të premten, Erdogan viziton krahinën verilindore të Trakës, ku jeton pakica myslimane në Greqi.