‘Rama ka faj, por dhe Berisha nuk është pa faj’-Iriqi bisedon me Andi Bushatin

Iriqi: - Sa vite t’u bënë si analist?

Andi: - Kam nisur kur Berisha ishte në vitin e dytë të si president dhe vazhdoj ende sot kur Rama hyri në vitin e pestë të qeverisjes.

Iriqi: - Pse sa vjet je tani?

Andi: - Isha 20 kur  Berisha fitoi zgjedhjet më 1992 e sot jam jam 47 kur Rama bëri 53 vite.

Iriqi: - Sa vjet punove te gazeta Koha Jonë?

Andi: - Deri sa Berisha humbi zgjedhjet e Rama sapo u bë ministër.

Iriqi: - Na çmende me këtë tip aritmetike. Pse përmend kurdoherë Berisha -Rama?

Andi: - Se jam analist dhe kështu e dëshmoj që jam i pavarur. Se ti je iriq e nuk e kupton, por ekuilibri ynë ndikon edhe tek njerëzit. Na rritet shikueshmëria në se jemi komplet të paangazhuar. Kështu bëj dhe në shtëpi. Shkoj për drekë e pyes se çfarë kanë gatuar. Po të kenë supë, që është femërore, do marr p.sh., një karotë që është mashkullore. Edhe në lokale. Po piva birrë do e shoqëroj me uiski që është mashkullor. Se jam skrupuloz dhe i pacenueshëm  prej askujt.

Iriqi: - Ç’mendim ke për përmbytjen? Mund të ishte shmangur?

Andi: - Përmbytja ishte faj komplet i Ramës. Asnjë investim serioz nuk bëri. Aq lekë sa ai harxhon për bonifikimet aq shpenzon dhe për bileta udhëtimi. Se edhe Berishës i ndodhën ca përmbytje...

Iriqi: - Të pyeta për qeverinë e sotme.

Andi: - Por në një kornizë më të gjerë unë gjykoj për gjithë qeveritë. Se nuk jam analist koti.

Iriqi: - Po mbrojtja e Tahirit a la një shije të keqe në popull?

Andi: - Të mbrosh Tahirin kur skafet drejt Italisë nuk rreshtin është faj. Edhe shumë i rëndë madje. Por edhe në kohë të Berishës mbillej në Lazarat.

Iriqi: - Prapë Berisha?

Andi: - Unë bëj diagnoza me spektër të gjerë. Se ndryshe ngelem i paplotë.

Iriqi: - Atëherë si i gjykoni zgjedhjet e kaluara?

Andi: - Ato u vodhën fillim e mbarim. Në çdo kuti u futën duart e komisionierëve. Por kjo dukuri edhe në kohë të Berishës...

Iriqi: - Këto ditë  maxhoranca do zgjedhë prokurorin e ri. Mendoni se do gjejë një vegël të vetën?

Andi: - Pa dyshim që po. Do caktojë një që të fshijë dosjet e bujshme. Edhe Berisha...

Iriqi: - E mora vesh. Një pyetje të fundit. Je dakord për sigurimin e detyrueshëm ndaj përmbytjeve?

Andi: - Jam kundër komplet. Është vjedhje për t’u pasuruar oligarkët. Rama do shpërblejë ata që e sollën në pushtet, por edhe...

Iriqi: - Faleminderit për intervistën. E kuptoj lehtë vazhdimin e fjalisë që le përgjysmë.