Bota e muzikës në zi, ndahet nga jeta këngëtari i famshëm

Është ndarë nga jeta në moshën 74 vjeçare  ylli më i madh i rokut francez Johnny Hallyday ndërroi jetë.

“Elvisi i Francës”, siç njihej gjerësisht, u nda nga jeta pasi humbi betejën me kancerin në mushkëri. Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua për mediat nga bashkëshortja Leticia. Johnny Hallyday, emri i vërtetë i të cilit ishte Jean-Phillipe Smet, ishte një prej yjeve më të shndritshëm të muzikës franceze dhe francezët e thërrisnin thjesht Xhoni i tyre.

Këngëtari francez shiti rreth 100 milionë albume dhe mori pjesë në disa filma në karrierën e tij që nisi në vitet 1960. Në fakt, ishte pikërisht pasi pa Elvis Preslin në vitin 1957 që Hallyday vendosi të bëhej këngëtar. Në vitin 1997, presidenti Zhak Shirak e bëri këngëtarin Kavalier të Legjionit të Nderit, megjithëse jashtë botës frankofone ai nuk ishte shumë i njohur. Jo më kot, gazeta “Usa Today” e përshkroi dikur si “ylli më i madh i rokut për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë”.

Homazhet për të erdhën nga e gjithë bota e artit, nga emra si Lenny Kravitz apo Celine Dion. Nga politika franceze ishte vetë Presidenti Emmanuel Macron që shprehu ngushëllimet e tij duke thënë se Johnny ishte pjesë e çdo francezi.

Veç muzikës së tij, ishin edhe festat e pandalshme, përdorimi i drogës, alkoolit, duhanit si dhe 5 martesat që ai pati, që mbajtën gjallë imazhin e tij si roker i vërtetë.