Sulmi ndaj ‘Zjarr tv’/ Berisha: Akt hakmarrës i Ramës ndaj mediave

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dënuar ashpër aktin e rëndë që i është bërë një ditë më parë televizionit ‘Zjarr Tv’, dhe drejtuesit të tij Ismet Drishti.

Me anë të një statusi në Facebook, Berisha shkruan se kjo është një vepër e kryeministrit Rama dhe banditëve të tij.

Sipas tij Rama po përdor dhunë ndaj çdo kujt që nuk mendon njëlloj si ai.

Ja statusi i Berishës:

Në një akt tjetër primitiv, hakmarrës i Noriegës ndaj mediave!

Të dashur miq, dje Edi Rama shfryu urrejtjen e tij me akte vandale të njerëzve të tij ndaj TV të mirënjohur “Zjarr TV” dhe drejtuesit të tij Ismet Drishti, i njohur për satirën e tij therëse dhe të guximshme ndaj Edi Ramës. Kështu, nga banditët e Ramës janë dhunuar zyrat e “Zjarr tv”, televizion i njohur në trajtimin e çështjeve të aktualitetit dhe për një linjë editoriale kundër qeverisë.

Këta bandite janë të frymëzuar nga gjuha e urrejtjes që Edi Rama përdor ndaj medias së lirë, ndaj njerëzve që nuk i kontrollon dhe nuk i blen. Ai me aktin vandal të shkatërrimit të zyrave i kërkon me dhunë gazetarit Ismet Drishti të mbyllë gojën.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal, si atentat shtetëror ndaj fjalës së lirë, shtojë se gjuha e urrejtjes ndaj medias, opozitës dhe kujtdo që nuk mendon si Rama prodhon vetëm dhunë dhe vandalizëm.

I bëj thirrje organeve prokurorisë të zbardhin sa më shpejt ngjarjen. sb