FOTO/ Deputetja e PS-së emëron kushërirën drejtoreshë të spitalit të Fierit

“Votoni numrin 2 të shpëtojmë shqiptarët nga tepsia, mos harroni numrin 2”, ishte kryefjala e fushatës që i dha timonin Kryeministrit Edi Rama. Ligjërimi kryesor i Ramës dhe ekipit të PS-së, u bazua jo në program por në shpërbërjen e “tepsisë”, lidhjeve nepotike në administratë.

E menjëherë pasi mori timonin, në kulmin e vapës, Rama mblodhi drejtorët e spitaleve për t’iu komunikuar shkarkimin live në ERTV.

“Çfarë autonomie spitalore mund të kemi ne nëse ne nuk kemi menaxhim spitalor, kapacitet për të pasur autonomi menaxheriale? Spitalet janë ndërmarrje në fund të ditës, nuk janë stalla ku veterinerët ca lopë i shohin e ca jo. Ndaj dua të mirëkuptoni kërkesën time për të dhënë dorëheqjen tuaj”, tha Rama.

Pas dekretimit të qeverisë së re dhe rikonfirmimit të ministres Ogerta Manastirliu në krye të shëndetësisë, u hap “gara” për drejtorët e rinj të spitaleve.

Nën dritat e kamerave ministrja doli dhe tha se ky konkurs është një model i ri që ka në themel meritën.

“Është hera e parë që zhvillohet një konkurs i tillë, publik, transparent për drejtuesit e shëndetësisë në vend. Ky është një standard i ri, një model i ri dhe tashmë nuk ka më kthim mbrapa, por çdo konkurs do të zhvillohet mbi bazë meritokracie dhe mbi baza të procedurave transparente”,-tha Manastirliu.

Por çfarë ndodhi me garën?

Pak javë më parë u bënë publik emrat fitues në këto poste. Në shumicën e spitaleve të vendit u vendosën po ata drejtorë spitalesh që kishin qenë në 4 vitet e para të qeverisjes. Disa prej tyre të angazhuar në Partinë Socialiste. (Shiko lajmin në fund të shkrimit).

Sipas një vëzhgimi të bërë nga SYRI.net në garën për spitalin e Fierit rezulton se fituesja e këtij posti është kushërira e deputetes së PS-së, një lidhje e pastër nepotike.

 Në konkurs morën pjesë 4 persona, të katërt pjesë e Partisë Socialiste.

Garuesit ishin:

 1 Afrim Plaka - Kandidati i 16 në listën e Ps në zgjedhjet e 2017,

2- Kreshnik Ternova - Ish Drejtori i Spitalit Fier,

 3-Arben Voja - Kryetari i Komunës Topojë Fier,

4- Nevila Shuke Doko ish-Drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetit Publik, Fier - Kryetare e Partisë Socialiste në Libofshë dhe kushërirë e parë me deputeten e qarkut Fier Adelina Rista Doko.

Konkursi u fitua nga Nevila Shuka, pjesë e strukturave të PS-së dhe lidhje familjare e deputetes Adelina Doko.

Kjo garë ilustron qartë metodën e qeverisjes së Rilindjes. Fasada dhe demagogjia. 

Në foto dy kushërirat e para Adelina Rista Doko dhe Nevila Shuke Doko ulur gjatë një aktiviteti në fshatin e tyre Libofshë

SYRI.net