Ja sa ka shkuar paga mesatare në shtet

Paga mesatare në shtet në tremujorin e dytë të vitit shënoi rritjen më të lartë së paku që nga 2014-ta.

Sipas të dhënave të INSTAT paga mesatare ne sektorin publik shënoi 60,500 lekë në tremujorin e dytë të vitit, duke u rritur me 7 për qind në krahasim me tremujorin  e parë të vitit.

Rritja neto ishte 4 mijë lekë dhe erdhi si rrjedhojë e vendimit për rritjen e pagave në sektorin publik pak para zgjedhjeve të qershorit 2017.

Për shkak të politikave të ashpra të konsolidimit fiskal ku buxheti i shtetit u përfshi në masa kursimi të rrepta, pagat ne sektorin publik mbeten në vend për disa vite. Madje të indeksuara me inflacionin ata shënuan për herë të parë rënie vitin e kaluar.

Pas një periudhe të gjatë stanacioni, qeveria vendosi vitin e kaluar të rifillojë stimulin për administratën publike, ku përfituesit më të mëdhenj ishin punonjësit e arsimit dhe te shëndetësisë.

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin shtetëror (buxhetor) gjatë vitit 2013 ishte 52.150 lekë.

Nga të dhënat e fundit fiskale të azhurnuara nga Banka Botërore,  Shqipëria në raport me PBB ka shpenzime mjaft të ulëta për mbrojtjen sociale (pensione, pagesë papunësisë dhe asistence sociale) dhe për pagat e punonjëseve publikë.

Nivelin më të lartë të shpenzimeve buxhetore për paga dhe pensione në rajon e ka Maqedonia me rreth 46% të totalit të shpenzimeve, ku rreth 12% shkojnë për pagesat e punonjësve në administratën publike dhe rreth 13% e PBB shkojnë për paga dhe pensione, pjesa tjetër më shumë se 10% shkojnë për shpenzimeve kapitale.

Më 2016, niveli i pagës mesatare bruto shënoi ulje vjetore me 2.1%, pas një rritje që kishte pësuar më 2015.

Po sipas INSTAT në vitin 2016 kaluar edhe pse numri i të punësuarve ka shënuar rritje paga mesatare në ekonomi ka rënë. Paga mesatare mujore bruto ishte 45.845 lekë më 2016 në raport me 46.830 lekë që ishte më 2015./Monitor