Sa herë që Rama e ‘përkëdhel’ Bashën tregon se është shumë rëndë…

Vetëm në dy ditët e fundit Rama e ka falënderuar dy herë Bashën. Fillimisht pasi Basha kishte pranuar mbylljen e diskutimeve në parlament dhe lejuar qeverinë të angazhohej me menaxhimin e emergjencës nga përmbytjet. Dhe së dyti pasi Basha falënderoi forcat e ushtrisë për punën e kryer në Fier.

Pavarësisht se “falënderimet/përkëdheljet” e Ramës janë djallëzore duke vazhduar diversionin naiv se me “Bashën kemi marrëveshje afatgjatë”, ato tregojnë gjendjen e rëndë në të cilën gjendet Rama.

Rama i paaftë për të qeverisur vëndin si në situatë normale ashtu edhe në situata emergjencash, e për më tepër i rrethuar nga individë pa asnjë aftësi e kapacitet, por që mendojnë në çdo moment vetëm e vetëm si të shtojnë pasurinë, duket i rrethuar nga të gjithë anët dhe totalisht i paralizuar për të dalë nga rrethimi. Korrupsioni nga njëra po e gërryen çdo ditë. Kritikat për lidhjen e shtetit me narkotrafiqet i qëndrojnë mbi kokë si shpata e Demokleut.

Dështimet në ekonomi e financë po krijojnë çdo e ditë pasiguri te bizneset e qytetarët të cilët duan vetëm të emigrojnë. Ministrat dhe zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion e lidhje me krimin e narkotrafiqet e kanë çoroditur dhe futur në panik. I kanë mbetur të bëjë vetëm dy gjëra.

Së pari të sajojë ngjarje fiktive për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve me shpresën se kështu duke u kapur pas fijes së barit mund të shpëtojë.

Së dyti, të “përkëdhelë” Bashën për të hedhur topin në fushën e demokratëve duke shpresuar se me diversionin e “marrëveshjes së 18 majit që vazhdon” do të nxisë sherret brënda PD e kështu do të mund të shpëtojë.

Të gjitha këto përpjekje qesharake e të kuptueshme nga të gjithë veçse evidentojnë gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet Rama. Madje sa më shumë Rama përpiqet te sajojë alibi për të zhvendosur vëmendjen e qytetarëve nga mëkatet e kesaj qeverie apo sa më shumë rriten “përkëdheljet e tij dhelpërake” ndaj Bashës, aq më qartë qytetarët shikojnë se në çfarë gjendje të rëndë ndodhet Rama dhe sa i vjetër e anakronik shfaqet ai në sytë e qytetarëve, veçanërisht të rinjve.

Rama duket i rënduar dhe dërmuar edhe nga dilema mes largimit nga politika për të shijuar jetën e tretë dhe qëndrimit në politikë nga frika e ndëshkimit nga prapasitë e mëkatet. Por as njëri dhe as tjetri opsion nuk ja mbulojnë dot vjetrimin dhe degradimin që tashmë është i qartë për të gjithë shqiptarët.

Syri.net /3 dhjetor 2017.