Gjebrea 'i lutet' Prokurorisë: Më thërrisni edhe mua për Habilajt

Deputetja e PS, Elona Gjebrea ka kërkuar me vullnetin e saj të japë sqarime në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me dyshimet se ka udhëtuar me makinën e Habilajve.

Gjebrea ka kërkuar të shpjegojë itinerarin e udhëtimit që bëri në Greqi në vitin 2014, e lodhur nga dyshimet e ngritura nga prokuroria, politika, mediat se ka udhëtuar me "Audin" , makinën e ish-ministrit shitur vëllezërve Habilajve të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. 

Përplasja më e fundit që ka pasur Gjebrea ka qënë në Komisionin e sigurisë me deputetin demokrat Flamur Noka lidhur me këtë çështje "Mua nuk më intimidoni dot", iu përgjigj Gjebrea Nokës, por pasi ka dalë nga komisioni, ajo u detyrua të përballej edhe me gazetarët. Gjebrea as aty nuk është përmbajtur dhe iu është përgjigjur prerë "ju nuk jeni prokurorë".

Duket se situata të tilla e kanë sosur durimin e Gjebreas, e cila i është lutur Prokurorisë ta thërrasë të japë shpjegimet e veta.