FOTO/ Ja kush është polici që u qëllua me armë zjarri në Tiranë. Çfarë dihet deri tani

Personi që shihni në fotografi është Ermal Bregu, rreth 33 vjeç, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Dinamika

Rreth orës 19.35, një telefonatë ka dhënë alarmin në sallën operetave të policisë: Në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe Ambulanca ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se:

Në rrugën "Kongresi i Lushnjës", tek ish parku i autobuzave përballë një lokali, punonjës policie i Komisariatit të Policisë Nr 1 Tiranë,  ka debatuar me dy shtetas. Të tre janë banorë në lagjes, sqaron Policia në komunikatën zyrtare lidhur me rastin.

Efektivi ka qenë jashtë orarit të shërbimit kur ka ndodhur ngjarja.

Në konflikt e sipër njëri prej personave ka qëlluar me armë zjarri ku për pasojë ka mbetur i plagosur Bregu. Burime thanë se është qëlluar në bark. 

Ai u dërgua në spitalin e Traumës dhe është futur në sallën e operacionit, ku po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. Sipas burimeve spitalore, efektivi është jashtë rrezikut për jetën.

Vendi ku ndodhi plagosja njihet edhe si “zona e Emiljano Shullazit”, ndërsa po hetohet nëse personat që qëlluan efektivin kanë lidhje me të. 

Motivi

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë te rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve, njofton policia.

“Jemi shumë afër zbardhjes”, tha për gazetarët nga vendi i ngjarjes kreu i Policisë së Tiranës.

Ardi Veliu shtoi se plagosja nuk ka lidhje me detyrën dhe bëhet fjalë për një konflikt të çastit.

Djegia e makinës

Mësohet se edhe para dy vitesh, efektivit të policisë i kanë djegur makinën tip ‘Humer’ para shtëpisë gjatë natës.