Dekonspirimi i operacionit/ Xhafaj: SHÇBA nuk ka qenë në dijeni deri në 22 nëntor…

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, deklaroi sot se 3 funksionarët e policisë, për të cilët Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër ndalimet, nuk kanë qenë nën vëzhgimin e policisë. Xhafaj theksoi se deri më datën 22 nëntor, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nuk ka qenë në dijeni të veprimeve apo vendimit të prokurorisë. “Unë mund t’ju them se deri në datën 22 nëntor, SHÇBA nuk ka qenë në dijeni të çështjes. Policia nuk i ka pasur nën vëzhgim 3 ish-zyrtarët e policisë, se me kë i ka mbajtur nën vëzhgim policia ata, duhet të pyesni prokurorinë”, tha Xhafaj.

I pyetur në lidhje me dekonspirimin e operacionit, ministry i Brendshëm deklaroi se nëse do të kishte emra konkretë nga rradhët e policisë atëherë do të bënte atë që duhej bërë.

Xhafaj tha se arrestimi i personave të shpallur në kërkim është detyrë e përditshme e policisë, ndërsa theksoi se operacioni për ndalimin e 3 ish-zyrtarëve të policisë nuk ishte në kuadër të “Forcës së Ligjit”.

“Operacioni Forca e Ligjit është kundër grupeve të strukturuara kriminale dhe unë nuk e di që këto 3 ish-zyrtarë policie të bëjnë pjesë apo të jenë grup criminal. Kurt a thotë prokuroria atëherë po. Në Shqipëri ka shumë grupe të strukturuara kriminale, referuar kodit penal, ndaj kini durim për atë që do të ndodhë, pasi operacioni kundër tyre sapo ka filluar”, tha Xhafaj.