Ndryshimet te Hipotekat/ Ja kush është drejtori i ri dhe pse u largua Doracaj pas 4 muajsh...

Elion Semanaj nga pasditja e sotme është emëruar në krye të Zyrës së Regjistrimit dhe Verifikimit të Pasurive të Paluajtshme, e njohur ndryshe si Hipoteka. Sipas një njoftimi nga Ministria e Drejtësisë, Semanaj rezulton fitues i një konkursi të çelur më 2 nëntor për kreun e Hipotekës, datë në të cilën është shkarkuar nga detyra Blerina Doracaj. Por gjithsesi kjo e fundit ka vijuar punën deri në emërimin e pasardhësit të saj në një nga institucionet më të rëndësishme në vend. Doracaj u emërua në krye të hipotekës në muajin Korrik, ndërsa zyrtarisht është larguar sot nga institucioni. Një ditë më parë, Doracaj replikoi me një nga deputetet e PD-së, pas denoncimit të kësaj të fundit, se në zyrat e ZVRPP-së punonjësit kishin ndërprerë punën në shenjë proteste për shkarkimin nga detyra të dy punonjësve.

Por kush është kreu i ri i Hipotekave?

I lindur në 1 mars, 1977, Elion Semanaj është diplomuar si jurist në Fakultetin e Drejtësisë, dega Juridik, në Universitetin e Tiranës.

Ai ka një eksperiencë të gjatë pune si jurist. Elion Semanaj ka kryer detyrën e juristit në Autoritetin Portual, Durrës.

Më tej karriera e tij ka vijuar në Avokaturën e Përgjitshme të Shtetit, ku Semanaj ka kryer funksionin si avokat duke përfaqësuar dhe mbrojtur në gjyq persona fizikë dhe juridikë apo konsulenca liogjore në fushën penale, civile, tregtare administrative etj.

Më pas, nga shtatori i vitit 2013 ai ka qenë Zv/Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN).

Semanaj kandidoi për kreun e KQZ në vitin 2016, por më pas u tërhoq nga gara. Ndërsa në datën 15.05.2017, me urdhër të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, Semanaj u emërua në krye të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Sot pasdite, Elion Semaj u zgjodh nga kreu i Qeverisë, Edi Rama në postin e Drejtorit të Përgjitshëm të Hipotekave, pasi u zgjodh fitues në një konkurs të hapur për 26 vendet vakante në Hipotekë.