Çela, ish-shefi i Kufirit në Dhërmi, dyshohet se fshihet në Panama

Ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela, ish­-shefi i postës Kufitare Dhërmi, Sokol Bode dhe ish-­shefi i Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në drejtorinë e Vlorës, Gjergji Kohila janë shpallur zyrtarisht në kërkim. Ka dyshime të forta se tre ish­funksionarët e lartë të policisë së Vlorës kanë dalë jashtë shtetit. Nga të dhënat që ka administruar prokuroria dyshohet se Jaeld Çela ka dalë nga territori i vendit dhe sipas prokurorëve ka shumë gjasa që të jetë fshehur në Panama. Arratinë e tre ish-zyrtarëve të policisë që dyshohet se janë të imlikuar në trafikun e drogës me grupin e drejtuar nga vëllezërit Habilajve, e ka konfirmuar dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Ndërkohë një tjetër burim i tha gazetës “Shqiptarja.com” se operacioni për ndalimin e tre efektivëve të policisë, dyshohet se kanë favorizuar bandën e Habilajve, mendohet se është dekonspiruar. Ky operacion i drejtuar prej kryeprokurorit për Krimet e Rënda Besim Hajdërmataj ka dështuar duke mos arrestuar asnjë prej 3 efektivëve të policisë.

Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur procedurat administrative për nxjerrjen e urdhrave të përjashtimit për këta ish-­oficerë. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka shpallur në kërkim që prej datës 22 nëntor 2017 shtetasit Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila dhe po punohet për kapjen e ndalimin e tyre. Në datë 23 Nëntor 2017 rreth orës 09:00, me kërkesë të drejtuesit të SHÇBA­së është zhvilluar analizë me prokurorët e çështjes dhe drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, për gjithë veprimet proceduriale të kryera dhe që do të kryhen në vijim, në funksion të këtij hetimi