Basha: Nuk do të lejojmë emërimin nga Edi Rama të Prokurorit të Përgjithshëm

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka deklaruar prerë sot se nuk do të lejojë dhe as do të pranojë një Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur nga Edi Rama. 

Në një deklaratë për mediat, Basha tha: "Qëndrimet tona kanë qenë dhe janë të qarta: Prokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emërojë Edi Rama. Ky që ndërmori këtë sulm të ashpër ndaj prokurorëve vetëm sepse kërkuan hetimin dhe arrestimin e Saimir Tahirit nuk mund të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm, as deputetët e Partisë Socialiste që e mbrojtën duke i mbajtur imunitetin nuk mund të emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm.

Nuk mund të emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm miqtë e Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit. Një prokuror i përgjithshëm i emëruar nga këta njerëz do të thotë fund i hetimeve në rastin “Tahiri”, fund i hetimeve në rastin e “Dakos”, do të thotë fund i hetimeve në kupolën kriminale dhe do të thotë fushë e lirë për krimin.Ndaj nuk mund të emërohet nga Edi Rama Prokurori i Përgjithshëm dhe ne nuk do ta lejojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë këtë. Për më shumë kjo bie në konflikt total me frymën e Kushtetutës dhe të reformës në drejtësi dhe për të kuptuar absurditetin mjafton t’ju kujtoj se edhe vetë Saimir ka të drejtë të votojë.  Pra, i bie që  një Prokuror i Përgjithshëm të zgjidhet me votën e Saimir Tahirit dhe ky prokuror është ai që do të nxjerrë para drejtësisë Saimir Tahirin.

Pyetje nga media:Si do ta pengoni?

Basha: Me të gjitha mjetet dhe format. Nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë emërimin nga Edi Rama të Prokurorit të Përgjithshëm."