Caktohen kushtet për lojërat elektronike në distancë, kapitali jo më pak se 10 milionë USD

Një prej akteve nënligjore që duhet të ishte miratuar qysh në janar të vitit 2017 sikurse përcaktonte ligji “Për lojërat e fatit” është kaluar vetëm në mbledhjen e fundit të qeverisë.

Vendimi përcakton kushtet që duhet të plotësojnë të gjithë ato subjekte që duan të licencohen për të operuar në lojërat elektronike në distancë. Kjo do të thotë se një kompani e huaj që zhvillon lojëra në internet duhet të regjistrohet në Shqipëri në mënyrë që faqet e saj të mos bllokohen.

Por ajo që është e vështirë për t’u kontrolluar në rastin e lojërave elektronike në distancë është paraja që qarkullon në to. Kjo do të thotë se një (X) kompani e cila ka serverin në Spanjë mund të ofrojë lojërat e saj në internet. Serverët e saj ndodhen në Spanjë, por lojtarët shqiptarë përmes internetit mund të luajnë në një nga këto lojëra. Pagesa në këto raste bëhet me karta të parapaguara standard ose përmes kartave bankare. Loja mund të luhet nga shtëpia, nga sallat e internetit apo edhe nga celulari në çdo vend ku ndodhet lojtari.

Gjithsesi në vendimin e saj të fundit qeveria qartëson kushtet që duhet të plotësojë një subjekt që operon në  këtë kategori loje dhe një prej tyre ka të bëjë me kapitalin i cili nuk duhet të jetë më i vogël se 1.2 miliardë lekë apo pak më shumë se 10 milionë dollarë.

Po kështu aplikuesit nuk duhet të kenë precedentë penalë që lidhen me vepra të ndryshme, ndërkohë që të paktën një prej aksionerëve të subjektit aplikues duhet të ketë eksperiencë në lojërat e fatit./Monitor