Roli i ndërkombëtarëve në regres?!

Në datën 6 dhjetor 2017 në sallën LIRIA të qytetit STUDENTI do të mbahet Konferenca me temë: “Roli i Ndërkombëtarëve në tranzicionin shqiptar”, e organizuar nga Zyra e Prezencës së OSBE në Tiranë. Roli i ndërkombëtareve nga dita kur në Tiranë vepronte ambasadori amerikan Rajerson për të mbështetur rrëzimin e komunizimit ka pasur regres për të mos thënë ka degjeneruar, deri më sot kur ambasadorja e BE Romana Vllahutin akuzohet për korrupsion me blerjen e një vile në lagjen e VIP-ve në Tiranë, ndërkohë që shumica e atyre vipave që jetojnë në këtë lagje perceptohen nga publiku si oligarkë dhe përgjegjës për gjendjen e vështirë në të cilën gjënden aktualisht qytetarët shqiptarë.

Vetëm po ti hedhësh një sy atyre që do të referojnë në këtë konferencë, në vendin symbol të demokracisë, të quajtur Qyteti Studenti, në vigjilje të përvjetorit të 27 të lëvizjes studentore që rrëzoi komunizmin, mjafton për të vlerësuar ecurinë e kontributit të ndërkombëtarëve.

Në panel nga Shqipëria nuk ka asnjë (ish)deputet, (ish)ministër apo pjesëmarrës në lëvizjen e dhjetorit apo (ish)zyrtarë të lartë antikomunist që të mund të fliste në këtë konferencë, në vendin ku studentët u mblodhën për të rrëzuar komunizmin. Nuk është as Pjetër Arbnnori, simboli i rezistencës në burg, që ka ndërruar jetë. Nuk është as Sali Berisha lideri i partisë së parë antikomuniste. As Jozefina Topalli, ish kryetare e Kuvendit e persekutuar familjarisht nga regjimi komunist. As Azem Hajdari lideri i parë i studentëve antikomunistë, se po ashtu ka ndërruar jetë. E shumë e shumë të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë lëvizje por që edhe kanë dhënë kontribute në drejtimin e vendit në këto 27 vjet, nuk janë në panel.

Por çuditërisht në këtë panel do të flasë i pari Ditmir Bushati, babai i të cilit ka qenë sekretar i parë në qytetin më antikomunist të Shkodrës dhe ka firmosur vendime të pafundme për dëbime e internime gjatë periudhës komuniste deri në dhjetor 1990. Kurse djali i tij, Ditmir Bushati që do të mbajë fjalën kryesore, është tashmë Ministër i Jashtëm i qeverisë Rama dhe do të flasë për rolin e ndërkombëtarëve përkrah Elez Biberajt, zyrtarit të Zëri të Amerikës, familja e të cilit ka qenë arratisur nga Shqipëria dhe shpallur armik nga Enver Hoxha por edhe me miratimin kolektiv të forumit ku bënte pjesë edhe babai i Ditmirit. Personi tjetër është djali i Sevo Tarifës, ish-shefit të kabinetit të dikatorit Enver Hoxha, i quajtur Fatos Tarifa i cili për mbi 15 vjet deri në 1990 dha leksionet e filozofisë marksiste-leniniste dhe sot është drejtues i një universiteti privat. Zor se takimi i Katovicës do të kishte mundur të programonte në mirë se kaq dhe në këtë kontekst duhet vlerësuar edhe roli apo efikasiteti i kontributit të ndërkombëtarëve për shfarosjen e farës komuniste dhe goditjen e rilindjes së regjimit të vjetër në formën e pushtetit të lidhur me krimin, korrupsionin dhe narkotrafiqet.

Si përfundim, mund të thuhet se në këtë Konferencë, roli i ndërkombëtarëve do të vlerësohet nga ata, etërit e të cilëve i urrenin dhe i kishin shpallur armike vënde nga kanë ardhur këta ndërkombëtarë. Dhe vlerësimin për rolin e tyre do ta bëjnë bijtë e tyre, vetëm disa ditë para përvjetorit të themelimit të partisë së parë antikomuniste, e pikërisht në qytetin ku u mblodhën studentët dhe të gjithë qytetarët për të rrëzuar regjimin komunist të baballarëve të tyre.

Sigurisht në këtë konferencë vlerësimi i këtyre pinjollëve të nomeklaturës së lartë komuniste do të jetë negativ për ata ndërkombëtarë që kontribuan në periudhën kur rrëzuan rregjimin komunist të baballarëve të tyre nga pushteti. Dhe pozitiv për ata ndërkombëtarë që kanë kontribuar për rilindjen e tyre duke heshtur për kriminelët që i sollën në pushtet përmes blerjes së votave e kërcënimeve apo duke mos thënë asnjë fjalë për kanabisin dhe narkotrafikun përmes të cilit këta pinjollë po përpiqen të qëndrojnë në pushtet. Ky është minimalisht ofendim për inteligjencën e shqiptarëve.

Syri.net /20 nëntor 2017