Letra drejtuar liderëve të BE për kanabisin/Vasili-Ramës: Je mashtrues publik...

Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI-së, reagoi përmes një komenti në rrjetet sociale ndaj letrës që kryeministri Edi Rama i ka drejtuar liderëve të 28 vendeve anëtare të BE-së, të cilëve u kërkon ndihmë dhe mbështetje për të luftuar trafikantët e drogës.

Vasili shkruan se ndërkohë që Rama gënjeu publikisht se fitoi mbi kanabisin, tani u kërkon ndihmë europianëve. Në vijim Vasili e quan Ramën si shembullin më të shëmtuar të mashtruesit publik.

“Nuk la vulgaritet e banalitet pa nxjerrë nga goja kundër çdo partie,individi,media të të gjitha llojeve shqiptare e ndërkombëtare, që  flisnin për drogën dhe efektin shkatërrimtar të saj për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Nuk la gënjeshtër,manipulim faktesh, ngjarjesh e raportesh për të mohuar,mbuluar dhe përdorur për pushtetin e tij dhe për të blerë vota, këtë tragjedi politike e sociale.

Sot po ky kryeministër u dërgon letër shteteve europiane për ndihmë për drogën, që po ky që medemek e kishte "eliminuar" 99%".

Ja ç'thoshte ky kryeministër jo më larg se 2 javë më parë dhe kuptoni më mirë çdo të thotë gënjeshtar që as skuqet as zverdhet.

Ja ç'thoshte kryeministri: “ne e fituam betejën me kanabisin. Viti 2017 e nxorri vendin nga harta e zezë Vetëm qorrat që nuk duan të shohin, shurdhët të dëgjojnë, apo kazanët që nuk duan të mësojnë", shkruan Vasili në rrjetet sociale.