Rama u ngarkon detyrë ambasadorëve: Sillni ‘njerëzit e lekut’ në Shqipëri

Në takimin e mëngjesit të sotëm me ambasadorët, kryeministri Edi Rama kërkoi atyre që të sjellin investitorë të huaj në Shqipëri.

“Shërbimi i jashtëm të mbështesë investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik duke bashkëpunuar me qeverinë dhe bashkitë e vendit. Rideminsionimi i diplomacisë ekonomike nuk është objektiv që mund të përmbushet thjesht nga diplomatët, por kërkon kalimin në një nivel tjetër të koordinimit me ministritë që janë të përfshira drejtpërdrejt në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve të huaja”, tha Rama.

“Çdo njëri nga drejtuesit e misioneve, çdo ambasador duhet të kuptojë rëndësinë e madhe të rolit të tij për të ndihmuar duke këmbëngulur në kalimin sa të shpejtë të kësaj faze transitore që duhet t’i vihet në shërbim procesit të ndërveprimit”, shtoi kreu i qeverisë.