Boshatisen rrugët e Shkozës/ Erion Veliaj dhe Elona Gjebrea kthehen pasi shembën 150 banesa

Vetëm pak muaj më parë, lotët e një fëmijë të vogël pushtuan mediat dhe rrjete sociale, pasi babain e tij e arrestuan teksa po përpiqej që të mos lejonte INUK-un ti prishte shtëpinë në Shkozë. E në atë kohë lotët e këtij fëmije nuk i bënë aspak përshtypje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetes së zonës Elona Gjebrea për të prishur 150 shtëpi në Shkozë.

Por sot Veliaj dhe Gjerbrea janë kthyer në vendin e krimit për të inauguruar 3 rrugica të reja. Por ndryshe nga herët e tjera, kur në Shkozë mbërrinte ndonjë zyrtar i lartë qeveritar apo lokal për të inauguruar ndonjë objekt, këtë herë banorët e zonës nuk kanë qenë të pranishëm, dhe arsyeja kuptohet mjaft lehtë.

Të vetmit që pritën Veliajn dhe Gjebrean në Shkozë, ishin punëtorët e kompanisë dhe 2-3 servilë të pushtetit, ndërsa qytetarët e thjeshtë në atë moment kishin braktisur rrugët për të mos i parë më me sy, ata që lanë fëmijët e tyre pa një strehë.

Por mashtrimi që i bëri banorëve të zonës, nuk e pengoi deputeten të flasë në emër të tyre.

“Ashtu sikurse kryetari i Bashkisë premtoi, e bëmë realitet këtë dhe dëshiroj ta falenderoj kryetarin edhe në emër të banorëve për gjithë mbështetjen që dha për të bërë realitet këtë zonë të transformuar tërësisht”, u shpreh Gjebrea.