VIDEO/ Polici i arrestuar me 1.5 ton kanabis nxori pistoletën ndaj kolegëve që po e arrestonin

Policia i arrestuar gjatë sekuestrimit të drogës disa ditë më parë në Vilun të Velipojës ka tentuar të mbrojë deri në fund aktivitetin e paligjshëm ku ishte përfshirë, duke tentuar të korruptojë komandantin e FNSH Shkodër para arrestimit. Një pjesë e kanabisit të kapur në këtë operacion ishte marrë në zonën e Lumit të Vlorës.

Enriko Zyle, punonjësi i policisë i prangosur në Vilun të Shkodrës për sasinë e drogës së sekuestruar rreth 1.5 tonë, jo vetem ishte i përfshirë në trafikun e drogës. Edhe në momentin e arrestimit, ai ka tentuar të korruptojë me para kolegët e tij, që do t’i vinin prangat.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se Zyle, Punonjës në Drejtorinë e Kufirit dhe të Migracionit Tiranë, i ka premtuar një shumë të hollash komandantit të FNSH-së, Shkodër që të tërhiqte forcat e policisë, pasi në të kundërt këtë histori do t’ia kthente në personale.

Fillimisht punonjësi policisë, kishte tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Golf”, në afërsi të hotelit ku u gjet lënda narkotike, por u kap pasi humbi kontrollin dhe ra në kanal.

Por, burime nga akuza pohojnë se paligjshmëria e 42-vjeçarit Zyle ka shkuar deri në nxjerrjen e armës. Zyle u shoqërua forcërisht, duke mospranuar të prangoset dhe duke mos e dorëzuar armën e shërbimit. Enriko Zyle është vëllai i zv/komandantit të kufirit në Shkodër Ndrek Zyle.

Po ashtu, burimet thanë një pjesë e madhe e sasisë së drogës së sekuestruar ishte siguruar në Malësinë e Dukagjinit, ndërsa pjesa tjetër kishte ardhur nga zona e Bregut të Lumit në qarkun e Vlorës. Sipas hetimeve të deritanishme, lënda narkotike ishte mbledhur, magazinuar në zonën e Vilunit, duke u bërë gati për t’u transportuar në rrugë detare drejt brigjeve Italiane.

/AbcNews