Përse u grumbullua Kombëtarja në Antalia? FSHF zbulon shkakun

Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar një njoftim, ku sqaron arsyen se pse Kombëtarja shqiptare është grumbulluar në Antalia të Turqisë.

Në njoftimin e publikuar sot FSHF sqaron se arsyeja ka qenë e thjeshtë, ekipit dhe stafit teknik u ofrohen kushte më të favorshme për zhvillimin e seancave stërvitore në Antalia, ndaj dhe është bërë kjo zgjedhje.

Njoftimi i plotë i FSHF-së

Kombëtarja e futbollit ka qenë është dhe mbetet një vitrinë e jashtëzakonshme e futbollit shqiptar në botë, pa përjashtuar këtu edhe ekipet kombëtare të moshave.

Dhe, për të përgatitur këtë sfidë miqësore me Turqinë, bazuar edhe në programin e trajnerit të ekipit kombëtar, por mbi të gjitha, duke u mbështetur shumë edhe në kriterin sportiv, u vendos që grumbullimi të kryhet në vendin ku luhet ndeshja në Antalia, nisur edhe nga fakti që këtë qytet e frekuentojnë shumë skuadra të huaja klubesh, apo ekipesh kombëtare, për klimën dhe kushtet e jashtëzakonshme që ofrohen.

Për të përcaktuar vendin e grumbullimit të ekipit kombëtar, apo edhe organizimin e një ndeshjeje ka disa kritere që vlerësohen, si kriteri sportiv, ai publik, si dhe kriteri ekonomik.

Nisur nga kjo, nga ana sportive grumbullimi për këtë ndeshje ishte shumë më mirë të zhvillohej në Antalia, për faktin sepse lojtarët udhëtojnë më pak, janë shumë më të qetë dhe jashtë trysnisë dhe presionit, por edhe kushtet e stërvitjet janë perfekt.

Për këto arsye pas propozimit të trajnerit, FSHF vendosi që grumbullimi të bëhet në Antalia. Nuk është hera e parë që grumbullime të tilla realizohen jashtë Shqipërisë. Kryesisht për ti ofruar lojtarëve dhe skuadrës një infrastrukturë sa më perfekte dhe komode për të përgatitur një ndeshje, miqësore, apo zyrtare qoftë ajo.

Legjendat urbane periferike të përcjella për izolime apo degdisje të skuadrës kombëtare, janë dhe do të mbeten thjesht një turbulencë e radhës.

Në lidhje me pjesën e injorimit të shtypit, zyra e shtypit e FSHF gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në ndihmë të mbarë mediave në Shqipëri, sportive dhe jo vetëm, të cilat na pamundësi për të ndjekur ekipin kombëtar janë furnizuar me informacione të herëpasherëshme, pamje dhe foto, konferenca shtypi dhe prononcime, reagime dhe çdo gjë tjetër të ekipit kombëtar.

Nuk është e vërtetë që pyetjet janë bërë nga zyra e shtypit, por nga gazetarë të pranishëm në hotelin e ekipit kombëtar, shqiptarë dhe të huaj. Më pas, ato i janë përcjellë mediave në Tiranë, të cilat kanë pasqyruar në vijimësi dhe me intensitet ecurinë e grumbullimit të ekipit kombëtar.