Rruga e Arbrit, Konfindustria kundërshton Ramën: Financimi në formën PPP i papranueshëm, s’keni asnjë studim...

Financimi në formën e PPP të projektit të rrugës së Arbrit pa studim të plotë të efektivitetit ekonomik është i papranueshëm. Kështu shprehet Konfindustria, sipas të cilës mobilizimi i afërsisht 300 milionë euro janë shtim i borxhit të lartë publik te sotem.

“Qeveria e Maqedonisë qartësisht shprehu para disa ditësh, se zgjatimi i Rrugës së Arbrit në territorin e saj nuk përligjet ekonomikisht dhe si rrjedhim nuk do të investojë. Sa më sipër vë në dyshim gjithë vlefshmërinë financiare të projektit. Qeveria e Shqipërisë duhet të paraqesë para miratimit nga Kuvendi disa variante të projektit në fjalë shoqëruar me studimet ekonomike përkatëse varësisht vendimeve te të tretëve”, thuhet në një deklaratë të Konfindustria.

Kjo e fundit shpreh gjithashtu shqetësimin për mungesën e plotë në buxhetin 2018 të studimeve të vlefshmërisë ekonomike si domosdoshmëri për përzgjedhjen e projekteve të investimeve kapitale në interesin më të mirë publik nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në paketën e kërkesave për buxhetin 2018, Konfindustria vlerëson, se mungesa e projekteve të përgatitura nga institucionet shtetërore dhe mbështetja terësore në propozimet e "pakërkuara" të sektorit privat, krijon kushtet për vendimarrje populiste në përfitim të ngushtë politik, jep mundësinë ligjore për shpërdorim dhe korrupsion.

Sipas Konfindustria, kjo është më e dukshme në investimet e mëdha infrastrukturore, zonat e mbrojtura mjedisore me pasoja afatgjata të renda për buxhetin dhe ekonominë kombëtare.