Jordania, Rusia dhe SHBA marrëveshje për krijimin e një zone të sigurt në jug të Sirisë

Jordania, Rusia dhe SHBA-të arritën një marrëveshje për krijimin e një zone jokonfliktuale në jug të Sirisë, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA).

Ndërkohë, sipas agjencisë zyrtare jordaneze të lajmeve, PETRA, ministri i Informacionit i Jordanisë, njëkohësisht zëdhënësi i qeverisë Muhammed el-Mumeni njoftoi se zyrtarët nga SHBA, Rusia dhe Jordania janë takuar në kryeqytetin e Jordanisë, Aman dhe kanë arritur marrëveshje për krijimin e zonës jokonfliktuale në jug të Sirisë.

Ai tha se kjo marrëveshje është një hap për t’i dhënë fund incidenteve të dhunshme në Siri dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme politike të krizës.

“Marrëveshja e re mbështet rregullimet e bëra në marrëveshjen e tre shteteve më 7 korrik, për armëpushim në pikat e kontaktit në jugperëndim të Sirisë”, tha Mumeni.

Takimet e filluara mes këtyre tre shtete në muajin maj, me ndërmjetësimin e Jordanisë, rezultuan me marrëveshjen për mbështetjen e armëpushimit, me uljen e tensioneve, derisa të risigurohet stabiliteti në vend, dhe me lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare në rajon./atsh/