Gjyshja nga Burreli që bëri Ramën të ‘flasë me vete’: Përse jemi më të varfërit, kur kemi pasuritë më të mëdha...

Një grua e moshuar nga Burreli është kthyer në hit në rrjet pas debatit që pati me kryeministrin Edi Rama, në një takim të këtij të fundit me qytetarët në qarkun e Dibrës.  Pavarësisht se Rama u mundua të ironizojë zonjën rreth të 80-ve, përballja me kryeministrin duket se nuk i ka shkaktuar asnjë emocion gjyshes për t’i renditur Ramës problemet e përditshme, varfërinë dhe çdo vështirësi tjetër të banorëve të zonës.

“Ne në qytetin e Burrelit, gjithë këtë pasuri që kemi ne, minierat, kromin, gjithçka dhe qyteti i Burrelit është më i varfri i gjithë veriut. Kromi jonë shkon në Tiranë, shkon në Turqi, shkon në Kinë, gjithandej dhe rrugët tona janë shtrembashtremba. Unë flas i nënë e vjetër dhe pensioniste. Kam punuar 38 vjet ndaj më vjen shumë keq për qytetin e Burrelit, sepse ka qenë qyteti më i mirë në të gjithë zonën e veriut. Qytet lulesh, qytet mollësh”, tha ajo.

80-vjeçarja rrëfeu se Marksi dhe Engelsi (duke nënkuptuar ideologjitë dhe doktrinat e tyre), i kanë marrë dynymë të tëra toke për të ndërtuar hidrocentralin në Ulëz, por që deri më sot askush nuk e kishte kompensuar.

E moshuara shton se në vitin 2014 nuk kishte pasur mundësi të paguante energjinë elektrike dhe për këtë ishte kërcënuar, si shumë shqiptarë të tjerë, se do ta fusnin në burg.

“Në ujin e kemi vet. Hidrocentrali i Burrelit mua më ka zënë 300 dynym tokë në Ulëz, ndërsa unë kam në 2014 drita pa paguar dhe ti thua do të fus në burg. Për atë pronën atje, mua s’më ka dhënë askush asnjë qindarkë. S’jam e zonja ta paguaj kurrë 2014-ën”, tha ajo