Mediat ruse zbardhin paktin Trump-Putin për Sirinë

Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij Vladimir Putin ranë dakord të mundin të ashtuquajturin Shteti Islamik në Siri.

Kremlini bëri me dije se një deklaratë e përbashkët ishte përgatitur nga ekspertët pas një takimi të shkurtet mes dy liderëve gjatë punimeve në samitin e bashkëpunimit ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit.

Pala amerikane nuk ka konfirmuar ende.

Sipas autoriteteve në Moskë, Trump dhe Putin u dakorduan gjithashtu se nuk mund te kishte zgjidhje ushtarake për konfliktin në Siri.

Dy udhëheqësit biseduan jozyrtarisht disa herë gjatë takimit dy ditor.

Ata shkëmbyen disa fjalë gjate darkës së shtruar të premten dhe u panë të bisedonin miqësisht edhe gjatë realizimit të fotove zyrtare të shtunën.

Ndërveprim mes Putinit dhe numrit një të Uashingtonit po ndiqet me kujdes nën sfondin e hetimeve për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet amerikan që po mundon prej muajsh administratën Trump.