Pallati i Brigadave nuk u përdor nga Mbreti Zog dhe as Emanuele III, ja dasmat më të bujshme që u zhvilluan...

Të gjithë kujtojnë hapjen për herë të dyerve të Pallatit Presidencial apo siç tashmë jemi mësuar ta quajmë Pallati i Brigadave.

Dyndje pa fund e njerëzve për të parë se çfarë mbante përbrenda ai pallat i mrekullueshëm. Por, duket se nuk do të jetë më mister për publikun dhe qytetarët. Këta të fundit tashmë mund të shkojnë ta vizitoojnë çdo fundjavë, pasi është i hapur për to. Në fakt ndryshe nga viti 2012, këtë vit qytetarët kanë një hapësirë të kufizuar për të vizituar, kryesisht në pjesën e jashtme të tij, oborrin përrallor. Ne jemi ndalur në këtë shkrim për të kujtuar pak rolin që ka pasur dikur apo synimin për të cilin u ndërtua Pallati Presidencial (Pallati Mbretëror), shkruan Shekulli.

Arkitektët dhe specialistët nuk ngurrojnë të japin informacion apo dhe mendimin e tyre në lidhje me këtë hapje të tij për publikun. i nisur si një porosi e mbretit Ahmet Zog, nisi rrugëtimin Pallati më i njohur në vendin tonë. Duket se qëllimi funksional për të qenë rezidenca e tij mbretërore apo edhe e mbretit italian, nuk është më në ditët e sotme, madje edhe në atë duket se ka shërbyer shumë pak. Në periudha të ndryshme ka pasur role funksionale të ndryshme, gjatë regjimit socialist përdorej për ceremoniale shtetërore, ceremoni  festive, pritje personalitetesh. Ndërsa sot duket se ka kaluar në organizimin edhe të dasmave të personazheve të njohur për publikun, qofshin nga shoë biz, qofshin nga biznesi.

 “Realisht emri i sotëm i atij pallati është Pallati Presidencial. Emërtimi “Pallati i Brigadave” është një emërtim që u përdor gjatë periudhës së socializmit, 1994-1991. Emri fillestar i objektit ka qenë Pallati Mbretëror. Ka nisur si një porosi e mbretit Ahmet Zog, për të qenë rezidenca  e tij mbretërore.   Projekti fillestar është nisur nga arkitekti Florestano di Fausto (autori i projektit të ndërtesave të ministrive në qendër të Tiranës). Më pas u kërkua një ripunim i projektit nga Giulio Berte dhe punimet fillestare nisën mbi këtë projekt, në vitin 1935. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia me 1939 i gjeti punimet e këtij objekti në fazë ende fillestare (qe mbaruar pjesa nëntokësore e punimeve).  Edhe italianët e periudhës se pushtimit e menduan përsëri në të njëjtin funksion, që do të qe një pallat përfaqësues i pushtetit fashist. Në një farë mënyre do të qe rezidenca e mbretit italian (qe në periudhën e pushtimit konsiderohej edhe mbreti i Shqipërisë) apo mëkëmbësit e tij.  Por, projekti nuk u vijua mbi linjat e skicuara në fillesë,  por u ripunua mbi bazën e projektit të arkitektit Gherardo Bosio (autor i ndërtesave rreth sheshit Nënë Tereza, Stadiumit, ndërtesës së Kryeministrisë dhe Hotel Dajtit). Nën drejtimin e Bosios u ripunua zhvillimi volumetrik i objektit, rifiniturat e tij, projektet e mobilimit, si dhe projektimi i kopështeve përreth.  Arkitektura e kësaj ndërtese evokon frymën e vilave fiorentine të tetëqindës, por në të njëjtën kohë përfaqëson gjithashtu lëvizjen bashkëkohore të arkitekturës moderne.

Dekoracionet e saj tentojnë drejt një arkitekture më racionaliste, dhe në stilin e dizajnit ndjehet fryma e Art Deco.  Dizenjimi i parkut është mbikqyrur nga Ferdinando Poggi dhe skulpturat janë realizuar nga Antonio Maraini dhe Odise Paskali.  Poggi përfundoi gjërat e lëna në mes nga Bosio, për shkak të vdekjes së tij të parakohshme në vitin 1941.  Pallati është përuruar në maj 1941 (në gjendje jo plotësisht të përfunduar) gjatë vizitës së mbretit Vittorio Emanuele III, gjatë vizitës së tij të vetme në Shqipëri. Për t´u përmendur se këtë pallat nuk e përdori as mbreti që e porositi, Zogu, as mbreti që e përfundoi Emanuele. Në të ka banuar familja e mëkëmbësit të mbretit, Francesci Jakomoni nga viti 1941-1943. Për t´u përmendur që vajza e Jakomonit, e cila kur është larguar ka qenë në moshën 5-vjeçare e ka rivizituar këtë pallat në vitin 2010 në moshën 72-vjeçare”, tha për gazetën Shekulli arkitekti Arben Biçoku. Ky i fundit ndër të tjera ndalet edhe tek “roli” që Pallati Mbretëror ka marrë në periudha të ndryshme kohore, duke ardhur deri në ditët e sotme, i kthyer në vend “turistik” për vendasit dhe të huajt. Por, Biçoku në argumentimin e tij mbi rolin e sotëm të Pallatit të Brigadave, nënvizon edhe përkushtimin që duhet të kemi për mirëmbajtjen e tij. “Në periudhën e pasluftës ky objekt qe objekti më luksoz që u trashëgua.

Fatmirësisht ai as nuk u përdor intensivisht (psh si rezidencë e diktatorit) dhe as u ndërhy në të. Pjesa më e madhe e mobilimit që trashëgohet sot aty është mobilimi origjinal, i cili është ruajtur i paprekur (sigurisht që koha ka shkaktuar edhe firo). Përgjatë periudhës së socializmit ky objekt, me emërtimin “Pallati i Brigadave” tashmë (në evokim të ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore),  u përdor më tepër për ceremoniale shtetërore, ceremoni  festive, pritje personalitetesh, etj. Në të kanë fjetur personalitete të rëndësishme politike të huaja, përgjatë vizitave të tyre në Shqipëri. Realisht mospërdorimi intensiv i këtij objekt e ka sjellë deri në ditët e sotme në një gjendje relativisht të mirë. Por,  objektit përgjatë tre dekadave të fundit i ka munguar mirëmbajtja në nivelet që do të duhej. Ka përpjekje për ta ngritur restaurimin e tij në baza shkencore. Por,  kjo do kërkojë një shtrirje në kohë sepse këto lloj ndërhyrjesh realisht janë të kushtueshme”, tha ai.   Oborri është kaq i bukur dhe mbresëlënës saqë mund të shkosh herë pas here për të ndjerë kënaqësinë që të jep teksa e viziton. Do ishte një nga rezidencat më të rëndësishme në vendin tonë, pavarësisht se nuk u përdor as nga Mbreti Ahmet Zog as edhe nga Mbreti Emanuele III, i cili e përfundoi. Kanë sot fatin shqiptarët ta vizitojnë në heshtje peisazhin e projektuar nga Pietro Porcinai dhe skulpturat e realizuara nga Antonio Maraini dhe Odise Paskali, pasi vërehet mungesa e një ciceroni.

Ky pallati ka një arkitekturë të mrekullueshme, më të bukurën deri më sot, madje nuk ka një ndërtesë tjetër të tillë me të cilën mund të krahasohet.  “Parku i Pallatit Presidencial është parku më i bukur që ne kemi trashëguar dhe gëzojmë edhe sot. Nuk kemi ende një projekt tjetër peisazhi të krahasueshëm me të në Shqipëri.  Është projektuar nga peisazhisti Pietro Porcinai, një emër shumë i shquar italian në këtë fushë. Por, ndërkohë që theksojmë që është një park shumë i bukur, ndjehet nevoja e një mirëmbajtje më profesionale. Ka problematika me konsumin e materialeve të ndërtimit të përdorura në park, ka problematika që kërkojnë restaurim të veprave të artit, siç ka dhe nevojë për prekje të lehtas në mjedisin e gjelbërt. Ka nevojë për restaurimin e shatërvaneve, etj. Në përgjithësi ne shqiptarët kemi një problem shoqëror që nuk shkon me mirëmbajtjen. Ne nuk  mirëmbajmë objektet. Kur në fakt tërë objektet kanë nevojë për mirëmbajtje, kanë nevojë për buxhete për këtë qëllim, për njerëz që të merren me këtë funksion”, tha ai.  Biçoku shprehet se hapja për publikun është diçka shumë e mirë. Sipas tij, vizitat do ishte mirë të bëheshin në mbikqyrje për të mos shkaktuar dëmtime, por edhe përmes tyre të gjenerohen fonde të cilat mund të shkojnë për restaurimin e Pallatit të Brigadave. “Unë mendoj që hapja e pjesshme e objektit  për publikun është pozitive.

Por,  mendoj që këto vizita duhet të jenë të drejtuara dhe të mbikqyrura për të mos shkaktuar dëmtime. Vizitat duhet të gjenerojë një sasi fondesh (përmes pagesës) të cilat duhet të përdoren për mirëmbajtjen dhe restaurimin e objektit. Është një praktikë që Rama e futi vite më parë kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, me konceptin e Natës së Bardhë gjatë të cilës hapi bashkinë për vizita për publikun.  Këtë lloj praktike jashtë e përdorin. P.sh në Paris gjatë natës së bardhë hapet Bashkia e Parisit (një nga objektet më luksoze të qytetit) për vizita për qytetarët. Po ashtu dhe objekte të arkitekturës bashkëkohore, por që shënojnë arritje të spikatura, gjatë periudhës së fundjavës kur nuk punojnë në funksionin e tyre, kthehen të vizitueshme për publikun kundrejt pagesës. P.sh një objekt i tillë publik, i vizitueshëm në Paris është Teatri i Filarmonisë, një projekt i arkitektit Jean Nouvel; një objekt tjetër i vizitueshëm, por tashme privat, është Fondacioni Pathe, një projekt i arkitektit Renzo Piano. Në pjesën më të madhe të botës p.sh pallatet mbretërore sot janë të vizitueshme. Boll të kujtojmë Pallatin e Versajës, selinë e mbretërve të Francës Luigji XIV-LuigjiXVI, që është një nga qendrat më të vizitueshme muzeale pranë Parisit”, përfundon Arben Biçoku.

Dasmat më të bujshme që u zhvilluan në Pallatin Presidencial

Ashtu sikurse e përmendëm edhe më lart, duket se funksioni i sotëm i Pallatit të Brigadave, përveç historisë që përcjell tek vizitorët, është edhe “shfrytëzimi” i ambienteve të tij për evente të rëndësishme siç mund të jenë dasmat. Ne do të përmendim dasmat që janë zhvilluar së fundmi në këtë rezidencë përrallore nga shoë biz dhe nga fusha e biznesit.

Dasma e Princ Leka II me Elia Zaharian. Këtë dasmë shumë aristokrate të gjithë e kujtojnë sepse ka ndodhur jo më larg se para një viti. Ku të pranishëm ishin personalitete të vendit dhe të botës. Elia dhe Princ Leka II lidhën kurorë në ambjetet e Pallatit të Brigadave. Kjo martesë është e dyta që bëhet në Shqipëri pas dasmës mbretërore të organizuar më 23 prill të vitit 1938, nga Mbreti Zog me Geraldina DE Nagz Appony.

Dasma e vajzës së ish-ministrit të Mbrojtjes, Semela Mediu, dhe Bledian Ismaili, djali i kryebashkiakut të Vorës dhe biznesmenit Fiqiri Ismaili, kurorëzuan në martesë dashurinë e tyre. Ceremonia u mbajt në shtator 2016 në hollin e Pallatit të Brigadave.

Dasma e këngëtares Xhensila Myrtezaj me aktorin Bes Kallaku. Të dy u martuan këtë vit në ambjentet e Pallatit të Brigadave. Çdo gjë ishte kaq perfekte dhe e bukur, saqë kjo dasmë mund të konsiderohet edhe e vitit.