Aksidenti fatal me gurin e mermerit, arrestohet kamionisti

Policia e Fierit njoftoi sot se ka arrestuar kamionistin, të cilit i rrëshkiti guri i mermerit nga karroceria mbi një makinë duke shkaktuar vdekjen tragjike të një vajze të re dhe rrezikoi jetën e gjithë pjesës tjetër të familjes së saj. Ai quhet  Bashkim Pula, 41 vjeç, banues në Krujë.

Njoftimi i Policisë së Fierit:

Në aksin rrugor Lushnje-Berat, duke drejtuar mjetin kamion tip “Scania”, me targë AA 667 MP dhe targë karrocerie AD R628, ngarkuar me gurë mermeri, gjatë një manovre parakalimi me shpejtësi tej normave të lejuara, një gur mermeri ka dalë nga karroceria, ka rënë në rrugë dhe më pas në mjetin tip “Peugeot”, me targë AA 862 SF, me drejtues shtetasin M.I, 29 vjeç.

Për pasojë ka gjetur vdekjen pasagjerja, shtetasja E.I, 24 vjeçe dhe janë dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit "Peugeot" dhe pasagjerja tjetër, shtetasja D.I, 50 vjeçe, të gjithë banues në Allias, Tiranë, të cilët ndodhen në Spitalin e Traumave Tiranë nën kujdesin e mjekëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprën penale "Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor" parashikuar nga Neni 290 i Kodit Penal.