Fqinja greke masakron me thikë shqiptarin në Kretë, vdes babai i dy fëmijëve

Një shqiptar është vrarë rreth mesnatës në Kretë, Greqi. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur rreth orës 1 të mëngjesit duke u gdhirë dita e sotme. Siç shkruajnë mediat greke, autore e këtij krimi është një vajzë 26 vjeçe, shkruan SYRI.net.

Mësohet se shqiptari 35-vjeçar, baba i dy fëmijëve kishte dalë rreth orës 01:00 të mëngjesit nga shtëpia e tij dhe kishte shkuar tek fqinja greke, e cila kishte ngritur muzikën dhe po shkaktonte rrëmujë.

Ajo ishte në krizë totale, pasi ishte përdoruese droge, shkruajnë mediat greke. 

Kur fqinja greke 26 vjeçe e kishte parë shqiptarin që po vinte, kishte marrë një thikë në kuzhinë dhe e kishte sulmuar menjëherë. Ajo e kishte qëlluar disa herë me thikë në kraharor, bën të ditur SYRI.net.

Menjëherë ishin njoftuar ambulanca dhe policia, por edhe pse ndërhyrja ishte e shpejtë, babai i dy fëmijëve, një djali 7 vjeç dhe i një vajze 15 muajshe ka ndërruar jetë duke u transportuar për në spital.