Hetimi/ Paratë e sekuestruara në makinën e Orest Sotës nuk janë tërhequr nga ndonjë bankë...

Paratë e sekuestruara nga policia në makinën e Orest Sotës në 1 nëntor nuk janë tërhequr nga ndonjë llogari bankare. Ky të paktën është një nga informacionet e grupit hetimor dhe prokurorëve të krimeve të rënda, sipas të cilëve shuma e sekuestruar nuk përmbante shiritat përkatës sikundër ndodh në rastet e tërheqjes së shumave të tilla.

Burime nga prokuroria bënë të ditur për syri.net se gjithashtu bankave të nivelit të dytë i është kërkuar informacion zyrtar nëse një shumë e tillë është tërhequr nga biznesmeni apo familjarë të tij nga këto institucione.

Sipas burimeve, gjithashtu konfirmohet se në automjetin e Sotës janë gjetur 3 patenta, dy në emër të ish-ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri dhe një tjetër në emër të një prej familjarëve të tij. Burimet theksojnë se po verifikohen gjithashtu marrëdhëniet mes biznesmenit dhe kompanisë Kurum, nëse mes tyre ka pasur apo jo bashkëpunimeve të mëparshme dhe si janë kryer pagesat.

Referuar kësaj, prokurorët mësohet se kanë sekuestruar librin e shitjeve të Kurum, ku regjistrohen të gjitha raportet tregtare mes kompanisë dhe bizneseve të ndryshme. Verifikimi i këtij libri pritet të çojë prokurorët në konkluzionet nëse mes firmave të biznesmenit Sota ka pasur apo jo marrëdhënie tregtare me kompaninë Kurum.

Për ngjarjen e ndodhur rreth 10 ditë më parë, ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ka shmangur çdo koment apo sqarim publik, ndërsa një ditë më parë Dritan Demiraj, i cili drejtoi Ministrinë e Brendshme për rreth 4 muaj, tha se nga punonjës të policisë së Elbasanit ka mësuar se sasia e parave në automjet ishte 2-3 herë më e madhe sesa ajo e sekuestruar. Gjithashtu Demiraj tha se ish-ministri tahiri i ka kërkuar kreut të policisë së Elbasanit, Altin Qato që të fshihte patentat e gjetura në automjet.