‘Kalorësi i nderit në France’, kreu i Narko-Shtetit në Shqipëri. RFI: ‘Narko-shteti’ në zemër të Europës

Radio publike franceze, RFI, në një reportazh për Shqipërinë, thotë se vendi po kthehet në një narko-shtet në zemër të Europës.

Sipas gazetarit Jean-Arnault Derens, SHBA dhe Europa kanë shtuar presionin ndaj qeverisë së Edi Ramës.

“Shqipëria njihej gjithmonë për prodhimin e kanabisit, por që kur Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, situata ka ndryshuar natyrë. Prodhimi, dikur i përqendruar në jug, tani po përhapet në të gjithë vendin, duke spostuar bujqësinë tradicionale. Fermerët po braktisin tokën e tyre, duke preferuar të punojnë në plantacionet ku mund të fitojnë 20 euro në ditë, një pagë shumë e mirë për Shqipërinë. Ky prodhim eksportohet masivisht në Itali, dhe në një masë më të vogël në Greqi. Policia nuk mbron vetëm prodhimin, por bazat ajrore dhe detare të ushtrisë janë përdorur për të eksportuar drogën, paratë e së cilës do të financonin fushatën elektorale të Partisë Socialiste të Edi Ramës”.

“Rreth 20 deputetë socialistë kanë qenë të dënuar në të kaluarën për trafik droge ose për lidhje me trafikun e drogës. Në fund të tetorit, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, janë arrestuar në Siçili, ndërkohë që Prokuroria shqiptare ka kërkuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, por Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë refuzuar heqjen e imunitetit”.

“Gjithashtu edhe trafiku i heroinës e kokainës përmes Shqipërisë, të ardhur nga Turqia dhe tranzituar në Maqedoni, është rritur. Ka të dhëna që klanet shqiptare janë duke marrë tregun e drogave të forta që më parë kontrolloheshin nga serbët dhe malazezët”.

“Për një kohë të gjatë ambasadat perëndimore në Tiranë kanë mbyllur sytë, ndërkohë që Shqipëria prej disa vitesh ka hapur negociatat për anëtarësim në BE. Në fakt ato nuk donin të vinin në vështirësi Edi Ramën, të cilin e vlerësonin për retorikën e tij pro-europiane, i cili ishte perceptuar gjithashtu si një garant i stabilitetit të Shqipërisë dhe Ballkanit. Por dimensioni që ka marrë kultivimi dhe trafikimi i drogës e ka tronditur rëndshëm këtë pozicion të Shqipërisë. Raportet e fundit të Guardia di Financas dhe të policisë doganore italiane janë të tmerrshme si edhe studimet më konfidenciale të shërbimeve sekrete të vendeve perëndimore”.

“Këto ditët e fundit ambasadori amerikan Lu ka ngritur tonin duke kërkuar “rezultate konkrete” në luftën kundër krimit të organizuar, por ky mesazh nuk ka shanse të dëgjohet. Në 30 tetor shefi i shërbimit sekret shqiptar ka dhënë dorëheqjen sepse ai nuk kishte mundur të suportonte presionet politike që i bëheshin për të penguar hetimin e trafiqeve të drogës.

Pyetja që shtrohet është nëse kryeministri Edi Rama është ende i aftë të shkëputet nga kapja e rrezikshme prej kriminelëve dhe baronëve të drogës”.