Për kandidatin e përfolur për Prokuror të Përgjithshëm!

Një ditë më parë pata një lidhje me skype me TV SYRI.net në lidhje me zhvillimet e fundit në Shqipëri, ku në fund kolegu Alen Xhelili më pyeti për emrin e personit që përflitet për Prokuror të Përgjithshëm! Bëra një koment, të cilin po e zgjeroj këtu!

Henrik Ligori i biri i KRISTAQIT dhe EVDHOKSIAS, të më falë se i kisha ngatërruar Universitetin e parë dhe ditën, unë thash që ka mbaruar për “teknik bujqësor”, por në fakt kishte mbaruar për “teknik hekuri” ose thënë ne gjuhen doktrinale “Inxhinieri Mekanike e Elektrike” me specializim të veçantë në Itali pranë një fabrike apo instituti me emrin “Centro Sviluppo Materiali” SPA në Rome ose thënë ndryshe “për eliminimin e zhurmave gjatë goditjes së hekurit” nga kovaçi!!!

Për mendimin tim, përsëri më mirë të ishte teknik bujqësor se të paktën do merrte vesh për pemët, perimet e frutat se sa për përpunimin e hekurit (sistemit drejtësisë) të shtrembëruar prej kohesh në Shqipëri! Ndërsa me ardhjen e “demokracisë” ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë me KORRESPODENCE (shkollë nate) dhe më pas në kohën kur mbante detyrat e zv/drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda apo edhe të Tiranës, ka përfunduar masterin shkencor, por edhe doktoraturen!

Për shkrim e këndim i heq kapelen se lexon shumë dhe është tip studiozi, saqë edhe kolegët e tij te Prokuroria e Krimeve të Renda e thërrasin “Akademik” ose “Doktrinal” apo me raste “Teoricienti”! Këto epitete jo më kot ia kanë vene kolegët pasi në jetën e tij, nuk mbaj mend të ketë shkuar si përfaqësues i akuzës në sallën e gjyqit më shumë se 4-5 herë, edhe ato raste për të liruar ndonjë që nuk pranonin vartësit  e tij ta lironin.

Veç kësaj, nga verifikimi i arkivës time nuk më rezulton se “shef Riku” të ketë pasur personalisht një dosje të bujshme hetimore veç kësaj të vrasjes së ish-drejtuesit të policisë Artan Cuku! Pasi me të marrë emërimin si prokuror thuajse gjatë gjithë karrierës ka qenë zv/drejtues i Prokurorisë e në veçanti pranë Prokurorisë për Krime të Rënda! Ndërkohë është edhe njëri nga reformatorët e ndryshimeve të reja Kushtetuese dhe i preferuari i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa!

Por si ka mundësi që një ekspert i nivelit të lartë që është pjesë e grupit për ndryshimet e reja Kushtetuese kandidon vet, çka do të thotë se kur parashikonte kriteret për Prokurorë të Përgjithshëm etj., ai e kishte parasysh CV-n e tij. A ka ndonjë konflikt interesi këtu?! Prandaj Xhafa nguli këmbë që të hiqet nga ligji përjashtimi i ekspertëve për të marrë poste drejtuese me ndryshimet e reja ligjore!

Po a ka përgjegjësi Henrik Ligori për derexhenë ku ndodhet sistemi i drejtësisë, pasi ka mbajt detyra drejtuese, çfarë mund të ofrojë ai më shumë dhe kush e ka penguar ta bëj kur ishte ne pozicionet drejtuese etj ej.... Une mendoj se Prokurorisë nuk i duhen “teoricient”, nuk i duhen studios, por njerëz të vendosur dhe praktikë, njerëz që nuk kanë qenë drejtues apo zv/drejtues pasi nuk mund të riciklohen të njëjtët personazhe gjithmonë!

Pastaj ky kandidati i Xhafës, bie ndesh me deklaratat e KM “se boll me drejtësia drejtohet nga juristët e plepave dhe juristët me shkollë nate”, por siç duket edhe këtë rast ai nuk mban fjalën që ka dhënë vetë! E për ty “shef Riku” mos u mërzit se do ketë vend përsëri në sistemin e drejtësisë se ke aq miq e njohje si brenda ashtu edhe jashtë këtij sistemi!

“Suksese në kandidim”.