Basha, apel qytetarëve dhe partnerëve të huaj: Dënoni gjuhën e dhunshme të Ramës ndaj gazetarëve!

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i ka drejtuar një apel sot, qytetarëve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që të mos heshtin dhe të dënojnë gjuhën e dhunshme të Kryeministrit Edi Rama kundër gazetarëve. Thirrja e Bashës ka ardhur një ditë pas fjalimit të Ramës në Konferencën e BE-së: "Ballkani Perëndimor në ditën ndërkombëtare të medias."

"Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal, - shkruan Basha sot në rrjetet sociale. - Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur për ditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Vetëm pak ditë më parë në Maltë u vra në mënyrë barbare një gazetare që hetonte kryeministrin.

Klima që krijon Edi Rama inkurajon pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin. Njeriu që ka thurur vetëm lavde dhe përkëdheli për Elvis Roshin, Saimir Tahirin dhe kriminelët e tjerë më të cilët rrethohet, duhet të ndalë menjëherë gjuhën e tij të rrezikshme.

Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, intelektualëve, gazetarëve dhe politikanëve ta denoncojnë dhe të mos heshtin përballë kësaj sjellje kriminale të kryeministrit. U bëj thirrje organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të huaj që të dënojnë këtë gjuhë urrejtje dhe të dhunshme të kryeministrit," përfundon mesazhin e tij kryetari i opozitës.