Ndarja e çmimeve “CMA” dedikim për viktimat e Las Vegasit

Edicioni i ri i ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “Country Music Association Awards”, u mbajt të mërkurën më 8 nëntor, dhe kjo mbrëmje e rëndësishme muzikore iu dedikua në tërësi viktimave të sulmit të fundit vdekjeprurës në Las Vegas.

Por, yjet e nderuar në këtë ngjarje dhe ata që kishin zgjedhur të performojnë në ceremoni, nuk hezituan të japin mesazhe të paqes dhe të sillnin në skenë një dozë të humorit rreth situatës politike në vend.

Eric Church ishte ai i cili e hapi ceremoninë triorëshe nga Nashville, Tennessee dhe që u transmetua drejtpërdrejt në kanalin ABC. Para publikut ai e interpretoi himnin "Amazing Grace", raporton emisioni Express në KTV.

Ceremonia u prezantua nga veteranë të muzikës country, Brad Paisley dhe Carrie Underwood, të cilët ua dedikuan këtë mbrëmje të gjithë personave të prekur nga tragjedia e fundit në Las Vegas, por edhe viktimave të katastrofave natyrore që e prekën së fundmi Teksasin, Floridën dhe Puerto Ricon.

Në ekranin e vendosur në skenën e kësaj ceremonie u shfaqën fotografitë dhe emrat e 58 njerëzve të vrarë nga sulmi me armë zjarri në Las Vegas, nga një burrë në moshë të shtyrë, i cili i sulmoi ndjekësit e një festivali të muzikës country, nga dhoma e tij e hotelit. Ngjarja ndodhi më 1 tetor të këtij viti.

Legjenda e muzikës country, Garth Brooks, ishte ndër personat e nderuar gjatë mbrëmjes, duke i marrë në shtëpi disa prej çmimeve kryesore, si “Artisti më i mirë i vitit”, çmim ky të cilin e fitoi për të dytin vit rresht.

“Vokalistja më e mirë femër” u shpall Miranda Lambert, derisa Chris Stapleton sërish e fitoi çmimin, “Vokalisti më i mirë mashkull”.

Ndër fituesit e tjerë të mbrëmjes ishin: Keith Urban i cili u nderua për këngën e tij "Blue Ain't Your Color," dhe Taylor Swift e cili e fitoi çmimin “Kënga më e mirë e vitit” për hitin e saj "Better Man".

Jon Pardi e fitoi çmimin “Artisti më i mirë i ri”, derisa Chris Stapleton u nderua me çmimin “Albumi më i mirë i vitit” për incizimin e tij të fundit "From a Room: Volume 1."