Kroacia dhe Zvicra presin ‘gjysmë bilete’ për në Botëror

Kanë përfunduar dy sfidat e para të fazës “play-off” të Botërorit, ndërsa Kroacia dhe Zvicra kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt Rusisë.

Kështu kroatët kanë fituar me rezultatin e thellë 4-1, në derbin e Ballkanit, ndaj Greqisë. Pjesa e parë ishte vërtetë spektakolare, me Kroacinë që gjeti shumë shpejt avantazhin me anë të kapitenit Modric.

Grekët kthyen një top te portieri Karnezis, por ky i fundit e kontrolloi keq dhe iu rrëmbye nga sulmuesi kroat Kaliniç. Portieri grek detyrohet të shkaktojë faull dhe gjyqtari italian akordoi penallti për vendasit, të cilën e dërgoi në rrjetë mesfushori i Realit të Madridit.

Vetëm pak minuta më vonë kroatët dyfishojnë avantazhin me anë të Kalinic, që gjendet i vetëm në zonë dhe devijon në rrjetë një pasim të ardhur nga Strinic.

Grekët zgjohen dhe pas 2 tentativash, arrijnë të gjejnë golin e parë, por vetëm kaq, sepse 2 minuta më pas Kroacia shënon golin e 3-të me anë të mesfushorit të Interit, Ivan Perisic.

Në fillimin e pjesës së dytë është sërish mbrojtja greke që gabon në kthimin e topit dhe i dhuron kroatëve golin e 4-t, të shënuar nga Kramaric.

Me fitoren 4-1, Kroacia mund ta kthejë në një shëtitje takimin e të dielës në mbrëmje, në Athinë, sepse vështirë se Greqia mund të surprizojë.

Fitore minimale, por shumë të rëndësishme mori edhe Zvicra në transfertën ndaj Irlandës së Veriut. Skuadra e drejtuar nga Petkovic kontrolloi lojën dhe krijoi disa mundësi shënimi, por golin e gjeti vetëm në minutën e 58-të.

Gjyqtari i takimit akordoi një 11-metërsh të kontestuar nga vendasit, ndërsa mbrojtësi i Milanit, Rodriguez, u tregua i saktë përballë portierit dhe zhbllokoi rezultatin.

Kjo fitore është mjaft e rëndësishme për Zvicrën, që gjithsesi nuk mund të qetësohet deri të dielën në mbrëmje, kur do të presë në shtëpi irlandezët.