Xhela...

E thërrasin shkurt Xhela se emrin e plotë e ka Xhelal. Ka vite që rri në trotuar tek Tirana e Re, pak më poshtë Librit Universitar. Nxjerr ca tufa presh, ca mollë të vogla, ndonjë lakër a spinaq.

Më parë i shpaloste dhe i freskonte me një shishe plastike që kishte shumë vrima te tapa, si kokë dushi. Dhe herë këndonte, herë bërtiste, hajde mall bio e herë shante Saliun. E kishte refrenin e një kënge monotone.

Kishte zbritur Xhela para 20 vjetësh nga malësia e Korçës, nga fshatrat e Oparit.

-3 lekë për ditë pune merrnim. Nuk e ngopëm një herë barkun me bukë, - tregon. - Vdisnin njerëzit nga mungesa e ushqimit. Te varrezat e fshatit po të lije ndonjë krodhe bukë, sa ktheje kokën ngriheshin të vdekurit dhe e përlanin. Kaq keq ishte jeta.

Erdhi Xhela në Shkozë të Tiranës e me djemtë ndërtoi një shtëpi. Por ia prishi qeveria e tani rri tek baxhanaku. Djemtë ikën në Greqi. Punojnë me ditë. Vetë nxjerr zarzavate, por i mban mbyllur në një qese.

-Vijnë e m’i rrëmbejnë këta të bashkisë, - ankohet.

Tani nuk bërtet më hajde mall bio, as këndon, por akoma shan Saliun. Dhe kujton babanë që e kishte oficer pas çlirimit.

-Më ka treguar kur i bënë gjyqin Musine Kokalarit. Iu sul babai dhe i shkuli një tufë me flokë, - dhe tregon grushtin sikur i ka akoma në grusht.

-E njihte? - e pyes.

-Jo, bre, fare!

Xhela ka plot halle, s’ka një çati ku të mbrohet, s’ka fëmijët në terezi, ka gruan uloke, nuk ka pension. Por i harron të gjitha. Gënjehet si fëmija me një akullore, shan Saliun.

Doja ta pyesja për kë votoi, por m’u duk pyetje kot. Duket që larg, kuptohet.

Sa dëgjoj histori të tilla më vjen ndër mend strofa:

-Shqipërinë e mori Xhela.

 I vu zjarr...